E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni "pasiv" i bluzave të bardha

Në renditjen vjetore të vendeve me korrupsionin
më të lartë, Shqipëria ishte në vendin
e tretë, kurse mjekësia në vendin e
parë në "hierarkinë" e korrupsionit të
brendshëm. Mirëpo nuk është për t‘u habitur që në
këtë epidemi, që e sëmur, e njollos dhe e lë pa u integruar
vendin tonë, shkaku qenka diku tjetër, jo në
politikën e qeverisë, në reformat e saj në sektorin e
shëndetësisë, jo në spitale dhe poliklinika, por te
vetë ne qytetarët, që shërbehemi nga mjekësia, ne
që shkojmë të vizitohemi, të kurohemi, jo nga qejfi,
po nga halli. Korrupsioni që ne bëkemi me vullnetin
tonë të plotë qenka aktiv, i rrezikshëm, kurse ai i
bluzave të bardha, një çikë më i bardhë se i zi, pasi ai
është një korrupsion pasiv domethënë i detyruar
nga ne që nuk dalim nga dera e spitalit pa ia lënë
lekët me zor në dorë personelit të shërbimit.
Kjo nuk është aspak një stisje e artikullshkruesit
të këtyre radhëve, por një deklaratë e vetë Ministrisë
së Shëndetësisë, fill pasi u njoh me raportin
negativ të "Transparency International". Sipas kësaj
ministrie, "sondazhi vlerëson se vetë sistemi shëndetësor
nuk nxit dhe prodhon korrupsion aktiv, por
ky fenomen shfaqet në formë indirekte, përmes një
pjesëmarrjeje aktive dhe vullnetare të vetë qytetarëve",
dhe se është një rast i mirë për t‘u bërë thirrje
qytetarëve të tregohen të arsyeshëm tash e mbrapa,
të mos u bien në qafë bluzave të bardha, o do ta
merrni ryshfetin o s‘ka. Padyshim që ka një të
vërtetë në këtë mes, pasi opinioni publik i është
nënshtruar këtij fenomeni, dashje pa dashje, duke
e nxitur mitëmarrjen në këtë sektor dhe doemos që
ka vend për një tjetër reagim të opinionit qytetar,
për një tjetër qëndrim, më dinjitoz e më kurajoz.
Por kurrsesi nuk mund të anashkalohet fakti korruptiv,
i përditshëm i personelit mjekësor, ku e
thënë shqip nuk mund të drejtohesh për shërbimin
më të vogël në mjediset e poliklinikave dhe ato spitalore
pa paguar ryshfet, në një, dy, tre duar. Kjo
gjendje kritike nuk nënkupton domosdoshmërish
çdo mjek apo infermier si të tillë, domethënë si mitëmarrës.
Për hir të së vërtetës, teksa shkruaj këto
radhë, kujtoj dhe personalisht jo pak mjekë, që janë
modeli i profesionistit dhe i humanizmit, që
punojnë me devocion, pa pirë dhe një kafe nga të
sëmurët apo të afërmit e tyre, e ku shpesh janë ata
që ndeshën më fort në këtë dukurinë e mbrapshtë
të mitëmarrjes, por përkundrazi marrin mbi vete jo
pak fjalë fyese. Por kjo është një tjetër temë, që ia
vlen të trajtohet, jo vetëm për t‘i nderuar ata që kanë
mbetur po ata, por dhe se prej tyre, si racë idealistësh,
do të fillojë dhe ndryshimi, kurimi i sëmundjes
që ka kapluar këtë shërbim të çmuar dhe të pazëvendësueshëm.
Pikërisht mjekët e ndershëm, të vjetër apo të rinj,
që kanë paktin hipokratian me profesionin, habiten
me kolegët e tyre, tashmë të tjetërsuar, si një mjek
në një poliklinikë (shtetërore) të kryeqytetit, që
gjatë orarit të punës mbushte xhepat me paratë e të
sëmurëve, pa kishte dhe kurajën (civile) të shkruante
në gazetë për kushtet jo të mira të punës, pa
harruar të nënshkruante edhe me atë gradën shkencore
që mbante, për t‘i dhënë rëndësi vetes, dhe pse
në specialitetin e tij nuk shkruante as dy radhë, siç
thonë kolegët e tij. Ja, ky është "mjeku" tipik që e
prish politikën e shtetit, që i bën qytetarët të pakënaqur
me shërbimin shëndetësor, përndryshe
"doktori" që nuk është aspak pasiv dhe për t‘i qarë
hallin, por më se aktiv në ushtrimin e korrupsionit.
Nëse qytetarët dëgjojnë të përflitet për tenderat
e mëdhenj, ngaqë nuk u cenohet xhepi (drejtpërdrejt)
edhe mund të mos e ndiejnë peshën e atij korrupsionit
të madh, po sigurisht që ata janë krejt të
ndjeshëm ndaj atij ryshfetit, a si me thënë korrupsionit
"të vogël", pasi janë preja më e parapëlqyer e
tij. Vërtet i vogël në dukje, por brenda ditës, gjithkund
ku ai ushtrohet, nga dhjetëra dhe qindra duar
zhvatëse në qytet dhe në fshat, rrezik t‘ua kalojë dhe
atyre tenderave të mëdhenj, të zhurmshëm, shumëmilionësh,
që çojnë zyrtarët e lartë apo të mesëm pas
hekurave të qelive.
Sa për të ilustruar me një rast të freskët, ishte pak
ditë pasi mbi njërën nga bluzat e bardha të Fierit
kishin rënë prangat, kur një qytetar befas u
"trimërua", shkoi për të vizituar vajzën, i bindur se
mjeku apo mjekja nuk do t‘i merrte para, se shteti po
e luftonte korrupsionin, se tek e fundit doktori që do
të vizitonte të bijën, në mos me ndërgjegje, do të
kishte sadopak frikë nga ligji, dhe ashtu serbes hyri
në dhomën e vizitës. Por ai/ajo që bëri vizitën e së
bijës, i tha pa u shqetësuar se duhej të paguante
pesë mijë lekë të vjetra për shërbimin. Ky zotëria, jo
se nuk i kishte aq lekë, porse kishte ardhur me
mendjen top se gjërat kishin lëvizur, iu drejtua asaj
"bluzës së bardhë": Po ju punoni në shtet, nuk jeni
privat!... Atëherë bluza e bardhë ia mori recetën nga
dora dhe shpejt e shpejt plotësoi një mandat pagese
që kushtonte katër mijë lekë, që ky duhej t‘i
paguante në arkën e spitalit, që pastaj të merrte recetën.
Ishte një nga ata njerëzit e thjeshtë, që nuk i
kontribuoi korrupsionit pasiv të bluzës së bardhë,
por a u zgjidh problemi me kaq? A do të mjaftojnë ca
raste sporadike si ky, që vitin e ardhshëm Shqipëria
të mos jetë më e përzier në delet më të zeza të korrupsionit,
fill pas Kamboxhias dhe Kamerunit? Jo për
gjë, po mbase këto dy shtete disi periferike të globit
nuk kanë ndonjë projekt të afërm apo strategjik për
anëtarësim në ndonjë strukturë madhore, siç është
BE-ja këndej nga ne evropianët, me dhe pa "portofol".
Sa për të tjerat, me më pak demagogji politike
dhe me më shumë reforma të mirëfillta dhe zbatim
të ligjit, dikasteri i Shëndetësisë dhe qeveria e zotit
Berisha e dinë më mirë se ne nga zihet demi... Ne,
njerëzit që sëmuremi, thjesht duam që të trajtohemi
me dinjitet, të mos paguajmë privatisht për shërbimin
që na ofrohet përmes shtetit, me fjalë të tjera,
të shihemi si pacientë dhe jo si "klientë" të personelit
mjekësor...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›