E Diel, 1 Nëntor 2026

ERE shtyn vendimin për çmimet

Enti Rregullator i Energjisë Elektrike ka shtyrë vendimin
për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Në një deklaratë
zyrtare për shtyp, ERE ka bërë të ditur se ka vendosur të
lërë në fuqi deri në datën 29 shkurt të vitit 2008 çmimet aktuale
të energjisë të vendosura qysh më datën 14 dhjetor të vitit 2006.
Pas alarmit të dhënë nga ana e Bankës së Shqipërisë dhe kërkesave
të vazhdueshme nga ana e
këtij institucioni përgjegjës për
rritjen e çmimeve për të mbajtur
nën mbikëqyrje rritjen e çmimit të
energjisë, ERE ka ndryshuar
datën e rritjes së re të çmimeve.
"Ne mendojmë se duhet që të
ndryshojmë metodologjinë e caktimit
të çmimeve dhe rritjeve të tij
në përgjithësi, pasi dihet nga historiku,
që gjatë fundit të vitit dhe
fillimit të vitit tjetër ka një rritje të
përgjithshme të çmimeve. Ne nuk
mendojmë se duhet të kontribuojmë
në këtë rritje të inflacionit,
kur mund të realizojmë një
strategji të re në këtë drejtim",
thotë Nepravishta. Nga ana tjetër,
kreu i ERE, Nepravishta, sqaron
se nga ana e këtij institucioni duhet të shihen disa kritere të
rëndësishme, që janë thelbësore për vendosjen e çmimeve. "Në
strategjinë e vendosjes së çmimeve, krahas kritereve ekonomike
që janë tejet të rëndësishme, duhet të përfshihen edhe ato sociale.
Po kështu, "në vitin 2008 pritet që të privatizohet sistemi
energjetik i shpërndarjes. Në këto kushte, sistemi i prodhimit
dhe ai i shpërndarjes do të operojnë në mënyrë të pavarur dhe
duhet të ketë një strategji që duhet të konvertojë për sa u përket
çmimeve, pasi midis dy sistemeve do të ketë transaksione
për sa i përket shitje-blerjes së energjisë. Ky është edhe faktori
i parë që ERE duhet të marrë parasysh në përcaktimin e çmimit
të energjisë, që do t‘u shitet konsumatorëve përfundimtarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›