E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lojërat Olimpike, Mashtrimi që erdhi nga lashtësia

 

Nëse dikush i mendon Lojërat e lashta Olimpike si një parajsë atletike e "panjollë", në të cilën të rinjtë merrnin pjesë duke konkurruar në mënyrë të pastër dhe të ndershme për të fituar një degë ulliri, bën një gabim të madh. Dokumente historike vërtetojnë se në lashtësi ka pasur edhe lojëra të shitura, dhunë dhe shumë korrupsion. "Mirësjellje", "moral", "civilizim", por edhe falsitet, lakmi, korrupsion, mashtrim, zili... Ashtu si dhe në olimpiadat e sotme, ashtu si edhe jashtë tyre... Një studim filologjik në letrat e shkrimtarëve grekë të antikitetit, hedh dritë mbi prapaskenat e Lojërave Olimpike dhe ofron një pamje të pastër të anës së padukshme të tyre duke sjellë në kohën tonë shenjat e luftërave për kontrollin e Lojërave Olimpike, rastet e shfrytëzimit të fitoreve, qoftë nga ana e shteteve dhe mbretërve apo nga ana e atletëve, marrja e paligjshme e nënshtetësisë së shumë atletëve, korrupsioni dhe bastet, shkelja e rregullave, mashtrimet e Elanodikëve (Komisioni Olimpik), dhuna e tmerrshme, fitore pa pjesëmarrje, përdorimi i Olimpias dhe i Lojërave për legalizimin e veprimeve të paligjshme të udhëheqësve, të kasaphanave dhe të pushtimeve. Në hyrje të stadiumit të Olimpisë së Lashtë ka pasur skulptura të Zeusit që quheshin Zana. Krijimi i tyre bëhej me paratë që mblidhnin Elanodikët, pas gjobave që ata vinin për shkelje të ndryshme të ligjit. Vendosja e këtyre statujave në hyrje të stadiumit olimpik, ishte si një paralajmërim i fundit për të gjithë ata që kishin në mendje të bënin diçka të jashtëligjshme.
Luftë për Lojërat
Gara për të organizuar Lojërat Olimpike, e kthente shpeshherë Olimpin e shenjtë në një arenë të përgjakshme luftërash. Përqendrimi i pasurisë nga mbërritja e shumë të pasurve nga vende të ndryshme të Mesdheut, bëhej shkak për përleshje midis banorëve të Pisës, të Ilidës (qyteti më i madh i Ilias së sotme) dhe të Arkadëve, të cilët ishin ata që ishin pretendentët kryesorë për organizimin e Lojërave. Pausaniasi, Ksenofoni, Irodoti, Athineu dhe shkrimtarë të tjerë përshkruajnë përleshjet e përgjakshme midis këtyre pretendentëve. Kështu në vitin 364 Para Krishtit, gjatë Lojërave të 104-ta që organizonin Arkadët dhe ndërsa, sipas Ksenofonit, ishin kryer garat e kuajve dhe të pesëgarëshit, ushtria e Iliasve hyri në ambientet e shenjta të Olimpias dhe filloi një betejë të madhe afër ambienteve sportive, para syve të çuditur të spektatorëve.
Dhunë nëpër gara
Ndërsa në jetën e përditshme të grekëve të lashtë ekzistonin dënime të rënda për çdo ushtrim dhune, plagosje apo vrasje njerëzish, në Lojërat Olimpike, shumë herë jo vetëm që nuk dënoheshin këta persona që kryenin këto akte, por përkundrazi, në shumë raste edhe u jepeshin çmime. Oratori i madh i lashtësisë, Dhimosteni, thekson se ligjvënësi cilësonte në thelb të pafajshëm atë atlet që gjatë garave vriste atletin tjetër me të cilin konkurronte, sepse përgjegjësia binte mbi të, për faktin se kishte një përgatitje më të dobët fizike që të përballonte goditjet në garat e mundjes, të boksit apo të dyluftimit. Fytyrat e ënjtura, thyerjet e brinjëve, shembjet, verbimet, mbytjet apo vdekjet ishin shpeshherë përfundimet e shumë garave dhe konsideroheshin si "normale' nga Komisioni Olimpik.
Përpjekjet e mashtrimit
Shkrimtarët e antikitetit përshkruajnë edhe raste të ndryshme të mashtrimit të atletëve, trajnerëve dhe gjyqtarëve gjatë Lojërave. Mundës, boksierë, etj, shpeshherë kryenin goditje apo veprime të ndaluara në mënyrë që të fitonin. Sipas profesorit të Arkeologjisë Klasike, Mihali Tiverio, në shfaqjet antike pasqyrohen qartë atletët e lojërave të përleshjes, që përpiqen t'i kafshojnë kundërshtarët e tyre, apo t'iu nxjerrin sytë. Shpeshherë, shumë atletë deklaronin edhe mosha të rreme, me qëllim që të kishin avantazhe në Lojëra.
(a.m/ "Ta Nea", Balkanweb) 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›