Lojrat Olimpike, Berisha merr pjesë në ceremoninë e hapjes

Kryeministri Berisha është nisur sot për në Londër, ku do të ndjekë ceremoninë zyrtare të hapjes së Lojërave Olimpike 2012, në të cilat Shqipëria përfaqësohet me një ekip, i cili do të garojë në 5 disiplina sportive. Në këtë vizitë Kryeministri do të shoqërohet edhe nga Ministri i Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, zoti Aldo Bumçi.
Para fillimit të saj, Kryeministri Berisha do të përshëndesë sportistët shqiptarë të ekipit olimpik, në një pritje të organizuar në ambasadën e Shqipërisë në Londër. Kryeministri Berisha do t`i urojë sportistëve tanë suksese në këto Lojëra, me besimin se ata do të dinë të tregojnë vlerat më të mira të tyre dhe se do të arrijnë të tejkalojnë rezultatet e tyre në disiplinat përkatëse.
Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja, zonja Liri Berisha do të marrin pjesë në pritjen që Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar Elizabeth II do të japë në Buckingham Palace, për nder të liderëve botërore, që do të ndjekin ceremoninë zyrtare të hapjes së Lojërave Olipmike Londër 2012.