Lojrat e fatit, Komisioni i Ekonomisë miraton ndryshimet
TIRANË - Komisioni i Ekonomisë vendosi sot paradite të miratoje disa ndryshime në ligjin për lojrat e fatit, propozuar nga qeveria. Ndër ndryshimet vërehet, ulje e ndjeshme e përqindjes së tatimit mbi qarkullimin vjetor të kompanive por rritje e tatimit fiks.
Sipas ligjit që është ende në fuqi, kompania organizatore e basteve sportive paguan tatim mbi lojërat e fatit 10 për qind të qarkullimit total, po jo më pak se 2 milionë lekë në muaj për çdo pikë të hapur.
Ndërsa në bazë të ligjit të ndryshuar që pritet të miratohet edhe nga Kuvendi, tatimi mbi qarkullimin vjetor zbret në nivelin e 5 për qindve ndërsa është bërë një riformulim i tatimit fiks për çdo pikë të hapur duke e përshkallëzuar atë në bazë të numrit dhe zonës në të cilën ushtrohet aktiviteti.
Kështu, nëse një kompani bastesh ka hapur në të gjithë territorin e vendit më pak se 99 pika, për secilën prej tyre do të paguajë nga 10 milionë lekë në muaj. Për ato që nën varësinë e tyre kanë nga 100 deri 149 pika bastesh do të paguajnë nga 12 milionë lekë në muaj për secilën, ndërsa nga 14 milionë do të paguajnë ato kompani që kanë mbi 150 pika të hapura.
Pjesë e ndryshimeve kanë qënë edhe tarifa fikse mujore për çdo njësi. Sipas ligjit aktual, për çdo pikë basti të hapur në rrethe të kategorisë së parë duhet të paguhej një tarifë mujore fikse 60 mijë lekë, për rrethet e kategorisë së dyte 40 mijë lekë, ndërsa për ato të kategorisë së tretë 30, mijë lekë. Në ligjin e ndryshuar, tarifa fikse për çdo pikë të hapur në rrethe të kategorisë së parë ulet në 40 mijë lekë, për ato të hapura në rrethe të kategorisë së dyte ulet në 30 mijë lekë. Edhe për pikat e hapura në rrethe të kategorisë së tretë, tarifa mujore fikse ulet nga 30 mijë lekë në 20 mijë lekë.
Përllogaritet që të ardhurat totale vjetore të deklaruara nga kompanitë që zhvillojnë baste sportive të jenë rreth 400 milionë lekë, ku sipas ndryshimeve të propozuara, krahas tarifave fikse shteti do të vjelë 5 për qind të kësaj shume.
Megjithëse të gjitha këto të ardhura vijnë nga sporti, sipas ligjit në fjalë shuma që do të ndahet për këtë sektor është 0.2 për qind e totalit.