Lojtar jashtë prokotollit, Vllaznia humb në tavolinë
SHKODER- Megjithëse ka fituar 3-2 ndaj Skënderbeut, Vllaznia do ta humbasë në tavolinë këtë ndeshje. Takimi i luajtur sot në Shkodër ka dhuruar çudinë e radhës në futbollin shqiptar, teksa skuadra shkodrane ka futur në fushë një futbollist që nuk ishte në protokollin e ndeshjes. Bëhet fjalë për Ansi Nikën, një lojtar që vetëm një javë më parë realizoi kundër Dinamos. Ai nuk ishte në protokollin e takimit përpara startit, kështu që me rregullore nuk mund të aktivizohej. Rregullorja e FSHF-së, më saktë neni 26, pika 20 e Kodit të Drejtësisë Sportive, thotë: “Nuk lejohet aktivizimi i lojtarëve që nuk janë regjistruar në protokollin e ndeshjes. Në në të kundërt, ekipi humb ndeshjen në tavolinë 2-0, ndërsa personat përgjegjës gjobiten me 20 mijë lekë”. Pra, humbja për skuadrën e Vllaznisë është e sigurt në këtë rast. Shefi i Sektorit të Garave Ilir Shulku, i kontaktuar nga Gazeta Shqiptare, ka bërë të ditur se çështja do të shkojë në Komisionin e Disiplinës, por sipas tij rregullorja është e qartë dhe Skënderbeu do të marrë fitoren në tavolinë. Për hir të së vërtetës, naiviteti i skuadrës shkodrane nuk mund të shkonte deri këtu, sa të aktivizohej një lojtar që nuk është në protokoll, por dyshimet janë se një gjë e tillë është bërë qëllimisht për të lejuar korçarët të marrin 3 pikë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)