E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stoner triumfon në shtëpinë e Rosit

Tifozët janë kënaqur përgjysmë. Dukati dhe Keisi Stoner fitojnë për të parën herë Çmimin e Madh të Italisë. Piloti australian i ka mposhtur të gjithë kundërshtarët në Muxhelo, duke regjistruar triumfin e dytë sezonal pas atij në Katar. Me këtë rezultat, ai ngjitet sërish në krye të klasifikimit, edhe pse diferenca me ndjekësit nuk është e madhe. Jamaha është dorëzuar përpara superioritetit të treguar nga "e kuqja tjetër", që në vijën e drejtë, me gazin e hapur deri në fund, ishte e paarritshme. Prodhuesi japonez është kënaqur me dy vendet e tjera në podium, ku Horge Lorenco e mbyll garën përpara Valentino Rosit: për herë të parë pas shtatë sezoneve radhazi, "Doktori" nuk arrin të fitojë në cirkuitin e Toskanës. Protagonistë të garës së djeshme ishin edhe Andrea Doviciozo dhe Loris Kapirosi, të cilët u klasifikuan në vendet katër dhe pesë.

Gara e djeshme ka qenë praktikisht e ndarë në dy pjesë. Pista e lagur është tharë me kalimin e xhirove, duke i detyruar të gjithë pilotët që të ndërronin motorët kur ishin zhvilluar gjysma e xhirove. Pikërisht këtu filloi një garë tjetër, më taktike, ku vendimtare rezultoi zgjedhja e gomave. Xhirot e mbetura nuk kishin asgjë të përbashkët me 12-13 të parat, kur Doviciozo, Vermulen e Stoner u shkëputën nga pjesa tjetër e grupit, por më pas u arritën nga Rosi dhe Melandri. Doviciozo ishte i pari mes "big"-ëve që u fut në bokse për të ndërruar motorin, ndërsa dy xhiro më pas të njëjtën zgjedhje ndoqën edhe të tjerët. Në situatën e krijuar, piloti i Hondas kryesonte falë gomave me temperaturë më të lartë. Pas tij u rreshtuan menjëherë Kapirosi dhe Stoner. Edhe pse Loris arriti të dhuronte spektakël për disa xhiro, duke marrë edhe kryesimin, Dukati u konfirmua si një motor më i kompletuar se të tjerët. Stoner mori vendin e parë dhe nuk e lëshoi deri në momentin kur kaloi vijën e finishit. "Ishte një garë e vështirë, por gjithçka shkoi më së miri", deklaroi ish-kampioni i botës. "Kushtet atmosferike bënë që paraqitja ime të kishte shumë ulje dhe ngritje. Në disa raste krijova distancë nga pilotët e tjerë, por më pas humba terren. Gjithsesi ia dola mbanë të fitoja".

Feston edhe Jamaha, pasi rezultati nuk ishte aspak i keq, megjithatë më pak i kënaquri është Rosi. Kampioni në fuqi dhe skuadra e tij zgjodhën gomat e forta, që në fund nuk e lejuan të luftonte për t‘u ngjitur edhe më lart. "Nuk ishim aq konkurrues sa të synonim fitoren. Duhet të tregohemi të durueshëm", deklaroi piloti italian. Për gabimin në strategji, ai shtoi: "Goma e pasme funksiononte shumë mirë. Ndoshta do të ishte më mirë sikur përpara të kishim montuar një gomë të butë. Personalisht dëshiroja të përdorja këtë lloj që prej fillimit, por ata (stafi që qëndron në bokse) zgjodhën të fortën. Nuk e kisha të lehtë në pistë dhe humbisja shumë kohë në krahasim me rivalët e mi. Edhe kur goma arriti temperaturën optimale, nuk arrita t‘i merrja maksimumin". Në fund, edhe dy fjalë për ndërprerjen e serisë me shtatë fitore radhazi në Muxhelo: "Nuk kam çfarë t‘i bëj. Zakonisht, në gara të tilla, kur për shkak të shiut duhet të ndërroj motor, nuk kam fat. Kënaqem edhe me vendin e tretë". Garë aspak e mirë ajo e Dani Pedrozës, që ra nga motori dhe për disa minuta ka qëndruar i shtrirë prej dhimbjeve.

Çmimi i Madh i Italisë

1. K. Stoner 45:41.894

2. H. Lorenco +1.001

3. V. Rosi +2.076

4. A. Doviciozo +2.129

5. L. Kapirosi +3.274

6. K. Eduards +24.451

7. Xh. Tosland +25.621

8. R. De Puniet +26.046

9. N. Kanepa +31.815

10. K. Vermulen +34.814

Klasifikimi për pilotë

Piloti Skuadra Pikë

1. Stoner (Dukati) 90

2. Lorenco (Jamaha) 86

3. Rosi (Jamaha) 81

4. Pedroza (Honda) 57

5. Doviciozo (Honda) 56

6. Melandri (Kavasaki) 48

7. Eduards (Jamaha) 45

8. Kapirosi (Suzuki) 38

9. Vermulen (Suzuki) 37

10. De Puniet (Honda) 34



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›