“Rama dhe kupola e pinjollëve të Bllokut e ka vendin në kuti”
Deklaron kryeministri Berisha nga Pogradeci
Nga qyteti i Pogradecit, ku inauguroi përfundimin e punimeve të shkollës së mesme të bashkuar “Dëshmorët e Pojskës”, në Udenisht, ka lëshuar të tjera akuza ndaj kreut të opozitës duke i cilësuar nihiliste përpjekjet e saj për të penguar projektin europian të Shqipërisë. Shefi i ekzekutivit, në vijim të turit të inaugurimeve të veprave publike, u shpreh se qeveria mbetet e zotuar për ndërtimin e Shqipërisë Evropiane dhe se askush nuk do ta ndërpresë këtë ëndërr të shqiptarëve.
Në fjalën e tij gjatë takimit me banorët, Berisha vuri theksin në mënyrë të veçantë tek arritjet dhe përmbushja e reformave të mazhorancës që bënë të mundur anëtarësimin e vendit në NATO, hapjen e negociatave për statusin e vendit kandidat dhe së fundmi vendimi për liberalizimin e vizave me vendet e bllokut. Duke iu referuar rolit të opozitës dhe sjelljes së saj apolitike, kryeministri tha se po bëhen përpjekje për të penguar procesin e integrimit dhe kjo, tha Berisha po demonstrohet ethshëm që nga ardhja në PS e antikulturës së bllokut.
“Qëkur Partinë Socialiste, kupolën e saj e pushtuan pinjollët e bllokut, nga mëngjesi deri në darkë nuk bëjnë gjë tjetër, veçse përpiqen t’ju nxjerrin juve për të ardhmen, të shkuarën e tuaj të hidhur. Me propagandën e tyre nihiliste, ara përpiqen të zerojnë çdo gjë. Pasi dështuan njëri pas tjetri në të gjitha përpjekjet për të penguar procesin e integrimit, mos harroni kurrë se vetëm natën që Shqipëria do të merrte ftesën për në NATO, përfaqësuesit e tyre do t’u deklaronin shqiptarëve se ftesa nuk do t’i jepej Shqipërisë. Për të penguar procesin e integrimit, pas zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kërkuan t’i fusin qytetarët shqiptarë në kuti. Bënë çdo gjë për të nxirë të vërtetën që shndrit dhe do të shndrisë gjithmonë për zgjedhjet e lira dhe të ndershme që zhvilluam. Bojkotuan parlamentin vetëm e vetëm që BE-ja të mos hapte negociatat për statusin e kandidatit. Dhe tani së fundi, si karnavale të vërtetë ngritën çadrat para kryeministrisë dhe parlamentit dhe nisën të ashtuquajturën grevë qesharake, vetëm e vetëm për të bllokuar vendimin për liberalizimin e vizave. E keqja e qytetarëve shqiptarë, e keqja fëmijëve shqiptarë është e mira e bllokmenëve të rinj. Ndaj ju bëj thirrje qytetarëve të të gjitha bindjeve, le të bashkohemi së bashku në projektin e Shqipërisë europiane, integrimin europian. Le ta lëmë Edi Ramën dhe kupolën e bllokmenëve të rinj në kuti, ase po të duan në bunker le të shkojnë. Ne të ecim të sigurt drejt Europës, me mundin dhe djersën tonë, me reforma. Le të ndërtojmë idealet tona europiane, të ndërtojmë Pogradecin europian, të ndërtojmë Shqipërinë europiane”, u shpreh kryeministri Berisha. Më tej, shefi i ekzekutivit u ndal tek investimi më i ri i realizuar në këtë rreth në sektorin arsimor, ndërtimi i shkollës së mesme “Dëshmorët e Pojskës”, në Udenisht , që kap një vlerë 26 milion lekë të reja.
Sipas kryeministrit Berisha, të 567 nxënësit e kësaj shkolle tashmë kanë një ambient të parametrave më të lartë bashkëkohor, 21 klasa, laboratorë modernë informatike, bibliotekë, si dhe mjedise komode për ta.
Gjatë qeverisjes demokratike në rrethin e Pogradecit janë investuar 50 herë me shumë se në qeverisjet e mëparshme socialiste. Në infrastrukturë janë investuar 70 milion lekë për ndërtimin e rrugëve nacionale. Janë ndërtuar gjithashtu 23 rrugë rurale e të qytetit, 11 ujësjellës, 16 shkolla dhe 17 ambulanca. është investuar në ujësjellësin e kanalizimet e qytetit dhe impiantin e përpunimit biologjik të ujërave të ndotura.
“Qeverisja aktuale ka investuar dhe subvencionuar në bujqësi e peshkim 7 herë më shumë, se qeverisjet e mëparshme socialiste. Kështu, në Udënisht është investuar 20 herë më shumë, se në qeverisjet e mëparshme, duke ndërtuar 3 rrugë, ujësjellësin dhe shkollën”, tha Berisha.