“PS të shkëputet nga trashëgimia totalitare”

Kapja e PS-së nga nomenklatura e vjetër komuniste - reagon PD
Partia Demokratike i ka bërë thirrje Partisë Socialiste të heqë dorë nga përdorimi i antikulturës së bllokut, me tendencë për të shkelmuar interesat e shqiptarëve. Rikthimi në kryesinë socialiste të Pinjollëve të Byrosë Politike e ka kthyer PS-në në parti anti-evropiane dhe anti-atlantiste.
Zëdhënësja e selisë së PD-së deklaroi dje se PS duhet të gjejë forca për t’u shkëputur sa më parë nga trashëgimia totalitare.
“Dje Edi Rama kremtoi në lokalin e “Rrenave” në Lezhë, përvjetorin e ndërrimit të emrit të partisë së tij nga Partia e Punës në Partia Socialiste. Partia Socialiste e Shqipërisë , trashëgimtare e barbarizmave më të mëdha, e mizorive, e ekzekutimeve pa gjyqe, e persekutimeve më të egra, e izolimit më të thellë dhe e varfërisë më të skajshme të kombit shqiptar, gjatë këtyre 19 viteve, ja doli të shndërrohet nga parti anti-evropiane, anti-atlantiste në një parti që vendosi në programin e saj integrimin euro-atlantik të vendit. Ajo u anëtarësua në Internacionalen Socialiste dhe pranoi rotacionin e pushtetit të cilin e kishte marrë me dhunë dhe rebelim komunist në vitin 97. Por sot Partia Socialiste, me ardhjen në krye të bllokmenëve “junior”, është kthyer në një armike të egër të votës së lirë të shqiptarëve, në një klub bijësh që duan të hakmerren me çdo kusht për Vaterlon e etërve të tyre e që duan të pengojnë në të gjitha mënyrat integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, u shpreh zëdhënësja e Partisë Demokratike, duke shtuar se, sot PS-ja udhëhiqet nga pinjollët e bllokut, të cilët kanë rikthyer nëpërmjet mediave të tyre, propagandën e shëmtuar të shpifjeve, trillimeve, mashtrimeve dhe terrorit mediatik. Në emër të interesave të tyre për pushtet, ata bëjnë çdo gjë për të shkelmuar me të gjitha mënyrat mbi interesat më jetike të shqiptarëve, për të penguar heqjen e vizave dhe integrimin e vendit në Bashkimin Evropian”, deklaroi më tej zëdhënësja e PD-së.
Sipas saj, Partia Demokratike, denoncon këto qëndrime dhe uron që Partia Socialiste në interesin e saj më të mire, të gjejë forcat për tu shkëputur sa më shpejt nga kjo trashëgimi totalitare.