Humbja e sigurt e zgjedhjeve vendore, Edi Rama heq dorë nga rikandidimi për Bashkinë e Tiranës
Edvini mashtron socialistët duke deklaruar se është i zënë me punët e Partisë.
Pandeli Sara: Ai është kanalizuar në pjesën e kreut të Partisë dhe synon për t’u bërë kryeministër
Gara e fortë elektorale, për zgjedhjet e ardhshme vendore, kryesisht beteja për Bashkinë e Tiranës, e ka skarcuar përfundimisht kryetarin aktual të saj, Edi Rama, duke e nxjerrë jashtë listës së kandidatit potencial. Zërat e sigurt për një dalje në koalicion të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, për të propozuar emrin e një personaliteti të njohur që do të bëjë të mundur kthimin e Tiranës te qytetarët dhe komuniteti taksapagues, ka bërë që Rama si zakonisht, tu shmanget betejave të forta. Lajmin e konfirmoi dje kryetari i njësisë bashkiake nr. 7 në kryeqytet Pandeli Sara, i cili e justifikoi vendimin e Ramës si një kontribut që do shkojë drejt Partisë Socialiste me synim fitimin e një palë zgjedhjesh dhe bërjen e tij, kryeministër.
“Rama nuk do kandidojë për një mandat tjetër. Ai është kanalizuar në pjesën e kreut të Partisë dhe synon për t’u bërë kryeministër”, tha Sara.
Justifikime këto sa banale aq edhe qesharake, për sa kohë tendencat hajdutëse të Edvinit gjithkush i kupton.
Humbja e sigurt e Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet vendore të 2011-ës, e detyron atë të heqë dorë nga kandidatura dhe të mashtrojë socialistët se do jetë i zënë me punët e partisë. Kjo pasi, kryesocialisti dhe kryetari part-time i Bashkisë e ndjen më shumë se kushdo që e ka djallëzuar punën dhe kështu që, s’ka arsye pse të futet në një garë destinacioni i së cilës do ta çojë pa dyshim vetëm në humbje.
Në këtë kontekst, kryebashkiaku aktual s’ka rrugë tjetër veçse të justifikohet se është i zënë fort me punët e Partisë, duke hequr dorë kështu, gradualisht nga një kandidim i mundshëm për Bashkinë më të madhe në vend.