E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lojtarët kuqezinj, të lirë për finalen e Champions League

Kombëtarja Supersfida e Madridit “ndërpret” përgatitjet e përfaqësueses

Finalja e Champions League ka bërë që Kombëtarja shqiptare të ndërpresë përgatitjet për dy miqësoret e radhës, ku fillimisht kuqezinjtë do të luajnë me Malin e Zi në Podgoricë, ndërsa më pas do të presin Andorrën në Tiranë. Stafi teknik i përfaqësueses, me në krye trajnerin Josip Kuzhe, zgjodhën t’i lënë të lirë futbollistët gjatë pasdites së djeshme. Ky vendim u mor në mënyrë që kontingjenti kuqezi ta shijonte supersfidën e aktivitetit më prestigjioz për klube në Europë, ndërmjet Interit dhe Bajernit, pranë familjeve apo miqve të tyre. Ndërkohë, në përfundim të ndeshjes së luajtur në “Santiago Bernabeu” të Madridit, të gjithë lojtarët janë kthyer në hotelin ku qëndron e grumbulluar Kombëtarja. Të shtunën, kuqezinjtë zhvilluan vetëm një seancë stërvitore. Gjatë paradites, skuadra u paraqit në fushën stërvitore të Teutës, pranë stadiumit “Niko Dovana” të Durrësit, ku stërvitja ka qenë kryesisht taktike.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›