Skela: Miqësoret janë provim për të rinjtë
Ervin Skela mendon se miqësorja e së mërkurës së ardhshme me Malin e Zi do të shërbejë si një test i mirë për futbollistët e rinj. Josip Kuzhe ka grumbulluar gjashtë elementë të rinj në Kombëtare, për t’i vëzhguar në aksion, përpara se të formojë skuadrën që do të luajë në eliminatoret e Euro 2012. “Këto dy ndeshje miqësore duhet t’i vlerësojmë në maksimum. Me Malin e Zi dhe Andorrën janë sfida që shërbejnë për t’u testuar për ndeshjen me Rumaninë dhe Luksemburgun. Por, duhet të provohet edhe elementi i ri, këto ndeshje do të jenë një lloj provimi për ta”, deklaroi fantazisti. “Shqipëria kërkon gjithmonë të afrojë elementin e ri, trajneri Kuzhe është munduar dhe ka grumbulluar mjaft lojtarë brenda kohës së shkurtër që ka punuar në krye të stolit. Shpresoj që për të ardhmen të ketë lojtarë, të cilët janë në gjendje të luajnë me Kombëtaren, elementë me kualitet, të cilët do të kontribuojnë për ekipin Kombëtar”.
Skela foli edhe për të ardhmen e tij. Rënia e Tus Koblencit nga Liga 2 gjermane ka bërë që 33-vjeçari të jetë lojtar i lirë. “Kisha kontratë për tre vjet, por meqë klubi ra në kategorinë e tretë, tani jam lojtar i lirë. Planet për të ardhmen? Në radhë të parë jam këtu me Kombëtaren. Fillimisht mendoj për këto dy ndeshje miqësore. Sa për vazhdimin e karrierës dëshiroj të qëndroj në Gjermani, por nuk përjashtohet as aktivizimi në ndonjë kampionat tjetër. Megjithatë nuk kam asnjë ofertë konkrete”. Ai ka folur edhe për planet në futboll, duke pasur në konsideratë edhe moshën e madhe: “Do të luaj edhe aq kohë sa e shoh që kam ende për të dhënë, si në ekipin ku do të aktivizohem ashtu edhe në Kombëtare. Kur ta shoh që nuk mundem më, ose që trajneri nuk më aktivizon, atëherë… Gjithsesi, jam i kënaqur me vlerësimin e trajnerit Kuzhe, i cili më konsideron të rëndësishëm për Shqipërinë”.
#