Mesfushori Lorik Cana takon të miturit në Burgun e Kavajës
Lorik Cana është larguar për pak kohë nga grumbullimi i Kombëtares shqiptare, për të vizituar të miturit që po vuajnë dënimin në Burgun e Kavajës. Mesfushori kuqezi mori pjesë në këtë takim si ambasador i UNICEF-it, me synimin se ai do të jetë një model që të rinjtë me precedentë penalë do të ndjekin në të ardhmen. “Pjesëmarrja në aktivitete të tilla është një kënaqësi. E theksoj se jam i gatshëm të marr pjesë në iniciativa të tilla në Shqipëri apo në Kosovë. Sporti duhet të jetë një shembull për të rinjtë dhe dua t’u jap kurajë brezave të rinj për të ardhmen”, deklaroi Cana, i cili ka firmosur edhe topa për të miturit. Burgu është i ndarë në dy seksione: seksioni me të paraburgosurit nga Tirana, Durrësi dhe Kavaja, si edhe pjesa me të burgosurit nga i gjithë vendi. Shpëtim Baçi, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Burgjeve, theksoi se qëllimi i këtij institucioni nuk është ndëshkimi, por integrimi i të miturve në shoqëri.
#