Duro: Shqipëria synon të bëjë hapin e madh
“Shqipëria kërkon të bëjë hapin e madh”. Kjo është deklarata e mesfushorit Klodian Duro në prag të miqësores me Malin e Zi. Edhe pse janë një skuadër relativisht e re (Federata Malazeze është bërë anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s në vitin 2007), fqinjët tanë veriorë kanë pozita më të mira se kuqezinjtë në renditjen botërore. “Natyrisht që ne synojmë të bëjmë hopin cilësor, mbi të gjitha kur shikojmë ekipe si Mali i Zi apo edhe Bosnjë-Hercegovina që regjistrojnë rezultate të mëdha. Të gjithë ne ndiejmë keqardhje që nuk arrijmë ta bëjmë diçka të tillë”, deklaroi 32-vjeçari. “Përballë Malit të Zi luajmë një ndeshje që vlen për të ardhmen e Kombëtares. Megjithatë, ndryshimet bëhen zinxhir dhe ato fillojnë nga rritja e cilësisë së kampionatit. Mendoj se diferenca jonë me përfaqësueset që kanë shfaqur rritje gjatë këtyre viteve është pikërisht profesionalizmi: duhet të jemi profesionistë, në mënyrë që të mos mbetemi mbrapa”. Sipas elbasanasit, gjithçka fillon nga klubet që militojnë në elitën e futbollit shqiptar: “Ato duhet të ndryshojnë mënyrën e menaxhimit, të privatizohen dhe të shndërrohen në klube profesioniste. Për të realizuar këto ndryshime mund të shërbejë edhe eksperienca e lojtarëve të Kombëtares, të cilët janë aktivizuar jashtë shtetit dhe me eksperiencën e tyre mund t’i ndihmojnë klubet që të riorganizohen”.
Duke u kthyer te miqësorja e 25 majit kundër Malit të Zi, Duro ka theksuar se Shqipëria pretendon rezultat pozitiv në Podgoricë. “Atmosfera në Kombëtare është shumë pozitive dhe fryma e grupit përmirësohet vazhdimisht. Në vitet e fundit, por edhe me ardhjen e trajnerit Kuzhe, ambienti është mjaft i qetë dhe ne lojtarët e kemi kënaqësi të qëndrojmë të grumbulluar. Natyrisht që kjo ndihmon edhe lojtarët e rinj, të cilët e kanë më të lehtë të integrohen në skuadër dhe të shpalosin të gjithë kualitetin e tyre”, shtoi Duro. “Në Podgoricë synojmë rezultat, pasi në futboll të gjithë dëshirojnë të fitojnë. Kjo ndikon edhe në atmosferën brenda ekipit dhe rrit besimin për ndeshjet eliminatore. Shtatori nuk është shumë larg dhe përveç krijimit të skuadrës për Euro 2012, duhet të arrijmë edhe rezultate”.
Në përfundim, mesfushori ka folur për sezonin me Apollonin në kampionatin qipriot. Ai e ka vlerësuar me nota pozitive edicionin që sapo u mbyll dhe hodhi poshtë spekulimet se nuk do të jetë më pjesë e skuadrës nga Limasoli. “Sezoni ishte mjaft pozitiv, sepse pas shumë viteve ‘agjërim’, Apolloni fitoi Kupën e Qipros dhe u kualifikua për në kupat e Europës. Për sa i takon aspektit personal, mund të them se nuk është e lehtë të fitosh zemrat e tifozëve në harkun e pak javëve. Gjithsesi, nuk do të largohem nga skuadra. Kam edhe një vit kontratë me klubin dhe gjithçka është diskutuar janë vetëm hamendësime të mediave”.
#