E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungon prej 6 muajsh, Ujkani ndien nostalgji për Kombëtaren

Portieri

Operacioni në menisk e la jashtë miqësores së marsit përballë Irlandës së Veriut, të fituar 1-0 me golin e Ervin Skelës. Samir Ujkani do të mungojë edhe për miqësoren e kuqezinjve me Malin e Zi, ndërsa do të bashkohet me skuadrën në kohë vetëm për testin me Andorrën, më 2 qershor. Shkak është bërë vonesa e pasaportës belge (në pasaportën shqiptare nuk ka vizë dhe nuk mund të udhëtojë) dhe portieri i talentuar nuk e fsheh nostalgjinë. Ai nuk është grumbulluar në përfaqësuesen kuqezi prej nëntorit 2009, në miqësoren me Estoninë. Gjashtë muajt larg ekipit duken një jetë dhe Ujkani e vuan këtë fakt. “Jam ende në pritje të pasaportës belge. Pagova edhe para më tepër që procedurat të përfundonin më shpejt, por dokumenti ende nuk ka ardhur. Ky problem ndoshta zgjidhet të hënën ose të martën dhe më në fund do të udhëtoj drejt Shqipërisë. Gjithsesi, dua t’i uroj suksese skuadrës për ndeshjen me Malin e Zi”, deklaroi 21-vjeçari. “Jam shumë nervoz, po pres me padurim t’i bashkohem Kombëtares. Do më pëlqente të luaja sërish, mbi të gjitha tashmë që jam rehabilituar nga dëmtimi”. Vonesa e pasaportës i ka krijuar probleme edhe për negociatat rreth së ardhmes me Palermon: “Bisedimet janë ndërprerë, pasi unë nuk mund të udhëtoja për të folur personalisht me drejtuesit e klubit sicilian. Duhet të shoh se çfarë planesh ka Palermo dhe çfarë më ofrojnë. Nëse nuk do të më lënë hapësira, atëherë do të preferoja të qëndroja te Novara në Serinë B”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›