E Diel, 1 Nëntor 2026

Lokale në “Rrugën e Elbasanit”, pasuri droge

20/05/2010 Grupi i Dokles, në skaner pasuritë. Dyshime se anëtarët administrojnë disa bar kafe

Hetimi do të përcaktojë pozicionin e gardianëve dhe njerëzve të drejtësisë në Durrës

TIRANE- Veç hetimeve për akuzën e trafikut të drogës dhe grupit kriminal, Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetime paralele për verifikimin e pasurisë së 7 të arrestuarve të operacionit “Ura”. Shkresa dhe rekomandime të veçanta i janë dërguar bankave të nivelit të dytë dhe zyrës së hipotekave, me qëllim kalimin në skaner të pasurive apo llogarive bankare të arrestuarve Endrit Dokle, Isuf Buna Edmond Taullai, Shefqet Vatës, Jorid Xhungës, Vito Bibës dhe Englantina Lulos, që të gjithë anëtarë të një grupi kriminal, që specialitetin e kishte në trafikun e heroinës në drejtim të Italisë. Mësohet se nga verifikimet e para të kryera në terren, Prokuroria ka ngritur dyshimet të bazuara në prova se në pronësi të anëtarëve të këtij grupi, janë disa lokale që ndodhen në rrugën e Elbasanit, pranë qytetit Studenti. Pritet që shumë shpejt këto pasuri të jenë identifikuar nga zyra e hipotekës dhe bankat e ndryshme, të cilat me një relacion përfundimtar do i drejtohen Krimeve të Rënda për pasuritë e konstatuara. Në vëzhgim janë lokale, apartamente, llogari bankare, automjete dhe sipërfaqe tokësore, të cilat mendohet se i përkasin 7 të arrestuarve të sipërcituar. Hetimet nuk do kryhen vetëm në Tiranë dhe Durrës, por mësohet se ato do shtrihen edhe në Kukës, qytet ky nga ku është edhe origjina e pjesës dërmuese të të arrestuarve. Ndërkohë duke parë implikimin edhe të disa personave të policisë së burgjeve, por edhe të Prokurorisë e gjykatës së Durrësit, hetues të çështjes thanë se do shikojnë mundësinë për të ndarë dosjen në dy akte, me qëllim përcaktimin e rolit të tyre në këtë rrjet trafiku. Burimet theksuan se gardianë të dhomave të paraburgimit në Tiranë dhe Durrës, u kanë shitur telefona dy të arrestuarve Edmond Taullaj dhe Endrit Dokles. Vetëm këtij të fundit i janë përgjuar përgjatë dy viteve 12 numra telefoni, me të cilat ai fliste nga burgu 313 dhe 302 në Tiranë. Lidhur me këtë situatë, organi i akuzës ka vënë në shënjestër disa persona që ka mundësi të jenë objekt i një hetimi për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsionit”. Aktualisht Prokuroria vazhdon hetimet intensive për të vënë në pranga një shtetas kosovar me inicialet I.K. Nga hetimet rezulton se ky i fundit ka qenë personi që mbante kontakte të vazhdueshme me dy grupin e Endrit Dokles dhe një grupi kriminal me qendër veprimi në Librazhd, që drejtohej nga biznesmeni Enver Gjura. Në shërbim të dy grupeve, ishte vënë një oficer i Flotiljes Detare të Veriu me emrin Feliks Rusto, i cili luante rolin e korrierit duke transportuar heroinë nga Durrësi në drejtim të Librazhdit dhe anasjelltas. Rusto shfrytëzonte uniformën ushtarake dhe për pasojë ai nuk ndalohej asnjëherë nga efektivët e Policisë Rrugore. Arrestimi i tij u krye në muajin nëntor 2009, pas transkriptimeve të bisedave të përgjuara.

Lokalet tek Qytet Studenti

Gjatë verifikimeve paraprake në terren, hetuesit kanë ngritur dyshime të arsyeshme se në pronësi të të arrestuarve në operacionin “Ura” janë disa bar kafe që ndodhen në rrugën e Elbasanit, pranë qytetit studenti. Dyshohet se këto pasuri janë vënë si pasojë e të ardhurave kriminale nga aktiviteti i drogës. Akuza u ka kërkuar bankave dhe zyrës së hipotekave që të verifikojnë, pasuritë e të ndaluarve në disa qytete të Shqipërisë.

Hetim edhe gardianëve

Dy vjet hetime kanë nxjerrë në skenë edhe disa funksionarë dhe gardianë të burgjeve, për të cilët mësohet se Prokuroria do të veçojë aktet me qëllim nisjen e hetimeve për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Burimet thanë se gardianët dhe disa funksionarë të lartë të gjykatës dhe Prokurorisë Durrës, janë implikuar në këtë grup, duke i favorizuar me telefona.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›