Diplomat false, një mësues e tre të tjerë në pranga

OPERACIONI/ Asllan Hetemi përfundoi në pranga pasi bëri të mundur regjistrimin e katër të rinjve në vitin e katërt pa mbaruar tre vitet e para të gjimnazit
Burime zyrtare nga policia bënë të ditur se Hetemi dhe bashkëpunëtori i tij Maloku, kishin marrë 100 000 - 120 000 lekë të reja për çdo regjistrim
FIER - Katër vetë kanë përfunduar në pranga, dy janë në kërkim, ndërsa një drejtoreshë shkolle është nën hetim lidhur me falsifikimet e diplomave të shkollave të mesme në qytetin e Fierit.
Strukturat e Drejtorisë Policisë Qarkut pikërisht ato të sektorit Kundër Krimit Financiar, pas një pune dyjavore investiguese e operative kanë ndërmarrë operacionin e koduar "Diploma" ku janë vënë në pranga të policisë katër vetë midis tyre një mësues.
Policia ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të veprimtarisë së tyre kriminale, ndërsa ndaj tyre janë ngritur akuzat e "falsifikimit të dokumenteve shkollore", "korrupsionit pasiv" dhe "shpërdorimit të detyrës". Mes të akuzuarve, por që do të hetohet në gjendje të lirë është edhe drejtoresha e shkollës së mesme Levan të Fierit.
Gjatë këtij operacioni policia ka ndaluar shtetasit: Asllan Hetemi, 44 vjeç, banues në Fier, me profesion mësues, Eduart Kasaj, 20 vjeç, banues në Patos, Renaldo Gashi, 20 vjeç, Kreshnik Maloku, 26 vjeç, student, banues në Fier.
Pas një hetimi nga strukturat e policisë kundër krimit financiar ka rezultuar se arrestimi i këtyre shtetasve është bërë për arsye se nga muaji shtator 2009 - janar 2010 kanë konsumuar veprat e mësipërme.
Më konkretisht shtetasi Asllan Hetemi, mësues në shkollën e mesme Levan Fier, në bashkëpunim me shtetasin Kreshnik Maloku u ka marrë shtetasve Renaldo Gashi, Eduart Kasaj, Petrit Gashi dhe Alban Kajolli një shumë nga 100 000 - 120 000 lekë të reja për secilin.
Sipas policisë, këto shuma parash janë marrë pasi nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara të kryera nga mësuesi Hetemi dhe bashkëpunëtori i tij Maloku kanë bërë të mundur regjistrimin e tyre në vitin e katërt të shkollës së mesme Levan pa përfunduar vitet e tjera të shkollës së mesme.
Në vijim të veprimeve hetimore të këtij operacioni i quajtur "Diploma" janë proceduar në mungesë për veprën penale "falsifikim të dokumenteve shkollore" shtetasit A.Kajolli 19 vjeç, Petrit Gashi 20 vjeç.
Po kështu nga ana e sektorit Kundër Krimit Ekonomik ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë edhe për shtetasen Sanie Dulla, 42 vjeçe, banuese në fshatin Levan të Fierit me punë drejtoreshë e shkollës së mesme Levan aty ku edhe janë kryer këto vepra penale. Procedimi penal ndaj kësaj shtetaseje ka nisur për veprën penale "shpërdorim detyre".
Drejtoresha akuzohet pasi ka bërë regjistrimin në shkollën që ajo drejton të nxënësve të mësipërm pa marrë konformimet nga shkollat përkatëse të pretenduara prej tyre se kishin zhvilluar tre vitet e para të gjimnazit, sipas dispozitave normative për arsimin parauniversitar.
Dulla mësohet të ketë shprehur fjalë pozitive për mësuesin e arrestuar, duke thënë se ai ka qenë korrekt me detyren si mësues ndërsa ka shtuar se nuk kishte dijeni për akuzat e ngritura ndaj tij.
Policia e Fierit pas ndalimit të këtyre shtetasve, ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale katër praktika të falsifikuara të regjistrimit të nxënësve në shkollën e mesme Levan, si dhe një palë dokumente automjeti, të falsifikuara të gjetura gjatë kontrollit në banesën e mësuesit Asllan Hetemi.