E Shtunë, 31 Tetor 2026

Londer 2012 tjeter rast dopingu

Olimpiada e Londrës ende nuk ka nisur, megjithatë lajmet për atletë që përdorin doping vazhdojnë. Surprizat nuk mungojnë dhe në prag të startit të evenimentit më të rëndësishëm sportiv vjen një tjetër rast përdorimi substancash të ndaluara nga atletika e lehtë.

Pas çështjes së francezit Nordin Gezar, menjëherë është zbuluar një tjetër rast. Bëhet fjalë për atleten nga Maroku të distancave gjysmë të gjata, Mariem Alaui Selsuli e cila është gjetur pozitive pas një kontrolli.

Për atleten kjo nuk është hera e parë. Në vitin 2009, ajo ishte skualifikuar për përdorim të substancave të ndaluara dhe nëse akuzat e tanishme konfirmohen, Selsuli rrezikon pezullimin përjetë.

Atletja kishte siguruar fitoren në etapën e “Diamond League” të zhvilluar në Paris gjatë këtij viti. Çështja është serioze, edhe sepse 28-vjeçarja kishte regjistruar kohën më të mirë sezonale në garën e 1500 metrave me 3 minuta, 56 sekonda e 15 të qindtat.

Selsuli kishte regjistruar edhe kohën më të mirë në garën e 3000 metrave, duke bërë që rasti i saj i dopingut të jetë një goditje mjaft e madhe për skuadrën olimpike të Marokut, që humbet në këtë mënyrë shansin të marrë medalje, pasi atletja ishte mes favoriteve absolute.

Naval El Mutavakel, që në Olimpiadën e vitit 1984 është bërë sportistja e parë muslimane që fitoi medalje të artë në Lojërat Olimpike për Marokun, e që tashmë është anetare e bordit drejtues të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, konfirmoi se hetimi ndaj Mariem Alaui Selsulit po vazhdon.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›