Londer 2012 medalje te pergjakura

Me ethet e Lojërave Olimpike që kanë pushtuar Londrën, tashmë është ngritur edhe çështja që lidhet me prejardhjen e materialeve me të cilat janë krijuar 4700 medaljet e arta, argjendta e bronzta që do të jepen në Lojërat Olimpike dhe Paralimpike.
Akuzat kanë ardhur nga Shoqata e Minierave në Londër, Shoqatat e të drejtave të Njeriut, grupet mjedisore dhe disa organizata të tjera jofitimprurëse, që kanë protestuar kundër Rio Tintos, kompanisë që ka qenë kontraktorë për sigurimin e metaleve për medaljet.
Lënda e parë për medaljet e “Londër 2012” është marrë në Konekot, Jutah dhe në në minierën Oju Tolgoi të Mongolisë. Akuzat janë se procesi në Jutah ka shkaktuar dëme serioze për ambientin, ndërsa pjesa e metaleve që vijnë nga Afrika akuzohet se e ka prejardhjen nga zonat e konfliktit, duke i krahasuar me “diamantët e përgjakur”. Gjithashtu për arin, argjendin dhe bakrin e siguruar në kontinentin e zi ka edhe akuza për dëme mjedisore, por edhe për shfrytëzim të punëtorëve përsa në kushte të këqija pune apo edhe ngacmime seksuale të punonjëseve femra.
Në total, pesha e arit, argjendit dhe bakrit e përdorur për medaljet në “Londër 2012” është tetë ton. Një medalje e artë e cila peshon 410 gramë, përmban vetëm 6 gramë ar, pra 1.34 për qind të peshës, ndërsa në pjesën tjetër përbëhet nga 92.5 për qind argjend.
Medaljet e Olimpiadës së kësaj vere, që kanë diametër 85 milimetra dhe gjërësi 7 milimetra janë nxjerrë nga Kulla e Londrës për t’u ekspozuar për mediat përpara startit të Lojërave Olimpike. Me tetë tonë materiale ato janë cilësuar si medaljet me peshën më të madhe të përdorur në Olimpiadën verore, por edhe më të kushtueshmet, duke pasur parasysh rritjen e madhe të çmimit të këtyre metaleve në tregjet botërore.