E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olimpiada alarm per transportin

Problemet e transportit janë bërë të ndjeshme tashmë që Londra është në prag të startit të Lojërave Olimpike. Frika për qarkullimin në evenimentin më të rëndësishëm sportiv në kryeqytetin anglez ka qenë e madhe, por tashmë gjithçka është konkretizuar.

Pezullimi i pjesshëm i punës në një linje të metrosë që lidh aeroportin Hithrou me Londrën qendrore, në momentin kur vizitorët kanë vërshuar në qytet ka rritur shqetësimin për faktin se organizatorët e Olimpiadës mund të përballen me një kaos transporti.

Sinjalistika që tregonte ndërprerjen e punës në këtë linjë erdhi vetëm një ditë pas ndërprerjeve drastike të qarkullimit në tre linja kryesore hekurudhore që kanë lidhje me Parkun Olimpik në lindje të Londrës, duke e komplikuar udhëtimin për në shtëpi të qindra pjesëmarrësve në ceremoninë e hapjes.

Banorët e Londrës janë mësuar me problemet thuajse të përditshme të transportit, në atë që është rrjeti hekurudhor më i vjetër në botë, ndërsa nuk ishte e vështirë të parashikohej që sistemi do të vihej në provë serioze për t’u përballur me qarkullimin masiv gjatë Olimpiadës.

Një tjetër sfidë është edhe ardhja e verës në Angli, pasi kjo ndikon në vendosjen e kufizimit të shpejtësisë në linjën drejt Lindjes së Londrës, për shkak të të nxehtit. Shqetësimet për faktin se kryeqyteti anglez mund të përfundon në kaos përsa i takon transportit kanë lënë disi në hije numërimin mbrapsht drejt ceremonisë së hapjes, megjithatë organizatorët e “Londër 2012” japin garnci se gjithçka do të shkojë në mënyrën më të mirë dhe të gjithë do ti shijojnë Lojërat Olimpike.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›