E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA i tregon forcen Spanjes

Kur kanë mbetur vetëm pak orë nga ceremonia e hapjes së “Londër 2012”, Shtetet e Bashkuara të Amerikës shfaqen të frikshme në basketboll për meshkuj. Skuadra amerikane fitoi me 22 pikë diferencë në miqësoren e fundit të programuar përballë Spanjës, ekipit që mposhti në finale në “Pekin 2008”, duke dhënë një provë të jashtëzakonshme force.

100-78 ishte rezultati përfundimtar i miqësores së zhvilluar në Barcelonë, në pallatin e sportit “Sant Zhordi”, ku basketbollistët e përzgjedhur nga trajneri Krzizevski u shfaqën mjaft agresivë në mbrojtje, duke detyruar kundërshtarët që të bënin shumë gabime. Për rrjedhojë, spanjollët kanë humbur shumë topa në fazën sulmuese, duke mos arritur për asnjë moment të pretendojnë fitoren.

Kjo pavarësisht faktit se iberikët e nisën mjaft mirë ndeshjen dhe të përqendruar maksimalisht, duke e parë veten në avantazh me shifrat 22-13 në minutat e para të sfidës. Serge Ibaka dukej i pandalshëm ndërsa Po Gasol shënonte kosha të lehtë.

Megjithatë, loja e thjeshtë, por efikase e Spanjës nisi të venitej pas aksioneve të Karmelo Antoni, që me dy tri-pikësha dhe me ndihmën e LeBron Xhejms ka rikthyer SHBA-në në avantazh 28-26.

Ritmi i lartë i lojës dhe mbi të gjitha fakti që Melo kishte realizuar 23 pikë vetëm pas 17 minutave lojë ishin pika e fortë e amerikanëve që dukeshin të papërmbajtshëm. Gjithsesi, në fundin e pjesës së parë të lojës, spanjollët arritën të ngushtonin diferencën nga -13 në -8 pikë.

Por, në startin e periodës së tretë ishte Kevin Durant ai që udhëhoqi përfaqësuesen e SHBA-së me 10 pikë të realizuara në 3 minuta e gjysmë, ndërsa amerikanët kanë vazhduar të shënojnë pambarimisht me LeBron Xhejms dhe Durant, ndërkohë që Kobi Brajant nuk është dukur në një mbrëmje të mirë. Turneu i basketbollit olimpik për meshkuj nis të dielën, me Shtatet e Bashkuara që luajnë kundër Francës dhe Spanjën që përballet me Kinën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›