E Shtunë, 31 Tetor 2026

Londer gjykata lejon ekstradimin e shqiptarit

Gjykata e ekstradimeve në Londër i ka hapur dritën jeshile ekstradimit për në Shqipëri të një shtetasi shqiptar i arratisur nga burgu i Lezhës në vitin 1997.

Riza Vatoci kërkohet të ekstradohet pasi është dënuar me 14 vite burg nga Gjykata e Krujës për tentativën e vrasjes në vitin 1996 të Përparim Gjonajt duke e goditur atë 6 herë me armë zjarri.

Për 39 vjecarin me origjinë nga Tropoja ky ishte procesi i dytë i ekstradimit në ngarkim të tij nga ku ai ka mohuar të jetë personi që kërkon drejtësia shqiptare.

Në vitin 2009 Vatoci që udhëtonte me një pasaportë britanike është arrestuar në Bolonja.

Disa muaj më pas për mungesë provash gjykata e këtij qyteti e ka lënë të lirë për t’u rikthyer në Angli ku është arrestuar përsëri në Tetor 2010.

Interpol Tirana ka siguruar disa foto të vjetra  të Riza Vatocit të cilat ishin pika e kthesës për të vërtetuar se personi arrestuar është ai i cili tentoi vrasjen e Përparim Gjonajt.

Nëse në vitin 2009 në Itali fati ishte me Riza Vatocin kësaj here në Gjykatën e Londrës fati nuk ka qenë në krahun e tij.

Gjykatësi David Colman që lejoi ekstradimin e Vatocit,  tha se të gjitha provat përpara tij janë të mjaftushme të vërtetojnë se personi përpara kësaj gjykate është ai që kërkohet nga drejtësia shqiptare.

Riza Vatoci kishte mbërritur në Angli si azilant politik në vitin 1999 duke përdorur po këtë emër por duke ndryshuar datën dhe vëndin e lindjes.

Megjithëse ai ishte në listat e personave të kërkuar të  Interpolit,  kishte mundur që në vitin 2005 të përfitonte një pasaportë britanike pasi kishte fituar nënshtetësinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›