PD: Drejtësia po mbron banditët e bllokut
Partia Demokratike ka kritikuar drejtësinë shqiptare në lidhje me vendimin e djeshëm të dhënë nga gjykata e Tiranës për djalin e deputetes së PS-së Arta Dade, Besnik Dabulla.
Në reagimin e parë të saj në lidhje me incidentin e ndodhur pak ditë më parë në kryeqytet ku djali i deputetes Dade ka plagosur nipin e ish-kryeministrit Adil Çarçani Edrin Lufin, Partia Demokratike ka theksuar se lënia e lirë e Besnik Dabullës është një karshillëk që i bëhet ligjit.
Në një konferencë për shtyp deputeti i PD-së Fatos Hoxha ka theksuar se emri i djalit të deputetes Dade nuk është i panjohur për drejtësinë pasi sipas tij ai është pjesëtar i organizatës “hakmarrje për drejtësi”.
Ai gjithashtu theksoi se lënia e lirë e Besnik Dabullës është një fyerje që i bëhet opinionit publik pasi çdokush që do të ishte arrestuar me armë pa leje do të ishte dënuar sipas ligjit.
“Përse drejtësia mbron banditët e bllokut? Ka ardhur koha që institucionet të reagojnë edhe ndaj krimeve të bllokmenëve të rinj” theksoi Hoxha.