Armatimi,Obama e Medvedev: Pro negociatave
Presidenti amerikan Barak Obama dhe homologu i tij rus, Dimitri Medvedev kanë rënë dakord në takimin e parë mes tyre, që dy vendet të fillojnë bisedimet për zvogëlimin e arsenalit bërthamor, përfshirë edhe mbushjet e kokave bërthamore. Obama dhe Medvedev i kanë bërë thirrje Iranit që të lejojë inspektorët e Kombeve të Bashkuara të verifikojnë programet bërthamore të Iranit, si rruga e vetme për të vërtetuar se ato janë për qëllime paqësore. Qëndrimet e mësipërme u bënë të njohura përmes një deklarate pas takimit të parë të drejtpërdrejtë mes dy presidentëve, që gjenden në Londër për të marrë pjesë në takimin e G20-ës. Të dy presidentët bënë të ditur përmes një deklarate të përbashkët se kanë urdhëruar negociatorët e tyre të raportojnë lidhur me rezultatet e para të bisedimeve në muajin korrik. Përpara takimit Obama pranoi se ekzistojnë dallime reale mes dy vendeve, por dhe interesa të përbashkëta. "Të dyja vendet kanë interes në zvogëlimin e stoqeve bërthamore dhe në luftën kundër shtimit të armëve bërthamore. Të dyja vendet kanë interesa të përbashkëta edhe në luftën kundër terrorizmit, dhe në stabilizimin e ekonomisë botërore. Kërcënimi që paraqesin ndryshimet klimatike janë një tjetër sferë e interesit të përbashkët", u shpreh Obama. Ndërkaq, Presidenti amerikan Obama njoftoi në përfundim të bisedimeve në Londër me homologun rus Dimitri Medvedev, se do të shkonte për një vizitë në Rusi në muajin korrik. Me gjithë përpjekjet për raporte më të mira ende mbeten çështje problematike mes dy vendeve, siç është zgjerimi i NATO-s.