E Shtunë, 31 Tetor 2026

Londra i ofron Kosovës mbështetje për njohjet e reja

Në takimin në Londër me nënsekretarin britanik të Shtetit, Chris Bryant, presidenti Sejdiu mori premtimin se Britania e Madhe do të vazhdojë të jetë e përkushtuar për ta ndihmuar Republikën e Kosovës në të gjithë fushat.

Në takimin me nënsekretarin britanik, presidenti i vendit ishte i shoqëruar nga ambasadorin e Republikës së Kosovës në Londër, Muhamet Hamiti. Presidenti Sejdiu, me këtë rast theksoi se Republika e Kosovës ka kapërcyer me sukses sfidat e shumta me të cilat është ballafaquar gjatë viteve të fundit, ndonëse ende mbesin shumë punë për t’u bërë, ashtu si është konstatuar edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.

Ai vlerësoi edhe të arriturat në fushë të sigurisë dhe punën e mirë të EULEX-it, duke shprehur qëndrimin se prioritet i institucioneve të Kosovës mbetet sundimi i rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës.

“Republika e Kosovës deri më sot është njohur nga 62 vende të botës dhe në po bëjmë ç’është e mundur që ky proces të ecën përpara”, tha Sejdiu, i cili kërkoi nga ministri Bryant që Britania e Madhe të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në këtë proces, veçmas në vendet e “Commonwealth” dhe në vendet e tjera në të cilat ky vend ka ndikim më të madh.

Nënsekretari britanik i Shtetit, Chris Bryant ritheksoi se Britania e Madhe ka qenë dhe mbetet shumë e përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën në të gjithë fushat e jetës. Ai e siguroi Sejdiun se vendi i tij do të ofrojë gjithë ndihmën e nevojshme për forcimin e institucioneve demokratike të Kosovës, për qeverisjen e mirë, me theks të veçantë në luftimin e fenomeneve negative që kanë prekur vendet e rajonit, siç janë korrupsioni, krimi i organizuar etj. Në këtë takim, po ashtu, u diskutua edhe për procesin zgjedhor që po kalon Kosova.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›