E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lorenc Luka, vërejtje për dhënien e lejeve të ndërtimit në Shkodër

>KRRT-ja e Bashkisë së Shkodrës gjatë mbledhjes së radhës ka diskutuar jo vetëm për dhënien e lejeve të ndërtimit, por edhe për vërejtjet lidhur me dhënin e lejeve të tilla të  mëparshme. Në fakt në Shkodër ka një boom ndërtimesh dhe lejesh në këtë rast, por zbatimi dhe ndërtimet pa kritere dhe standarde të mira dhe të dukshme ndërtimi, po bëhen për ditë dhe në mënyrë abuzive. Jo vetëm katet e lartë dhe më të tepërt që po tolerohen, por nuk merren parasysh parkingjet dhe gjelbërimi, ashtu sikundër afërsia dhe shfrytëzimi pothuaj barabar i lejes së ndërtimit me atë të shfrytëzimit. Akoma më keq për ndërtimet e mëdha dhe të larta, ku mungojnë standardet e emergjencës dhe shkallët e duhura si dhe hidrantët e të tjera si këto. Në këtë mënyrë, KRRT-ja e Shkodrës, e udhëhequr nga kryetari Lorenc Luka ka nisur rishqyrtimin e lejeve të ndërtimit që kishte dhënë më përpara dhe objekt ishte lartësia e tyre, gjelbërimi dhe parkingjet e shkallët e emergjencës, por edhe gjerësia e rrugëve. Nga vetë institucioni i Bashkisë është vënë re se rrugët dhe distancat midis këtyre ndërtimeve po bëhen shumë të vogla dhe ka rënë në sy se nuk ka kurrfarë gjelbërimi dhe aspak shkallë të emergjencës. Por, problemi është se shumë projekte kanë nisur zbatimin e tyre dhe po ashtu nuk po zbatohen kushtet e vendosura nga KRRT-ja. Shkurt, firmat po zbatonin planin e tyre dhe nuk po pyesin shumë për kushtet e KRRT-së. Janë disa projekte që kanë të shënuar tetë kate dhe janë në katin nëntë dhe kushtet e tokës dhe gjeologjisë nuk e lejojnë këtë rritje katesh në Shkodër. Vetë kryetari Luka, ka bërë vërejtje dhe në aprovimin e disa lejeve të tjera është vënë theksi në këtë drejtim dhe jo vetëm në hapësirat e ndërtimit, por edhe të rrugëve dhe të zbatimit të emergjencës në standard. Gjatë mbledhjes së KRRT-së, Shkodër janë aprovuar disa leje të reja si në qendër të lagjes Parrucë dhe afër stadiumit. Këtë radhë nga ana e KRRT-së ka pasur më tepër seriozitet për të krijuar standarde dhe siguri në lejet e ndërtimit, por sidomos në zbatimin e pikërisht të standardeve të kërkuara dhe të aprovuara në këto leje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›