E Shtunë, 31 Tetor 2026

Librazhd, banorët e Qafë - Dardhës kalojnë dimrin në çadra

>Pak e nga pak, po rrëshqasin fshatrat malorë në Qarkun e Elbasanit. Kjo lloj dukurie do të shfaqej për herë të parë në fshatin Cerujë të Funarit, rreth 40 kilometra në veri të këtij qyteti. Rrëshqitja e dheut që ka vazhduar pesë vjet me radhë, këtë vit zhvendosi nga themelet mbi 70 shtëpi në fshatin Qafë-Dardhë të rrethit të Librazhdit. Gati e njëjta tragjedi do të ndodhte tre vjet më parë, përballë Gurit të Zi në komunën e Labinotit - Mal. Zgjidhja e përkohshme për të pastrehët, u gjetën çadrat ushtarake. I njëjti fat, këtë herë në komunën e Polisit në rrethin e Librazhdit. Rreth 40 kilometra në juglindje të qytetit të Elbasanit, fshati Qafë - Dardhë do të gdhihej me shtëpi të çara e çati të shtrembëruara si dhe me themele të zhvendosura disa metra pak ditë më parë
Nata e frikës
 Vetëm pak ditë më parë, 35 familje të fshatit Qafë-Dardhë, gjysmën e natës do t'ia "falnin" ditës që agonte të nesërmen. Më të moshuarit do të jepnin alarmin për gjëmën që po ndodhte. Kërcitje muresh dhe zhurmë nën themele, bënë që shumica e fshatarëve të dilnin në pak minuta jashtë, shumë gra me fëmijët gjysmë të zgjuar. Fati i keq që banesat po ua merrte Zoti, por në të njëjtën kohë dhe fati i mirë që e keqja u kishte rënë pa jetë të shuara. Ikën të gjithë nga banesat dhe pse toka u rrëshqiste nën këmbë, por gjumë nuk fjetën. Nga poshtë u ikte toka dhe këmbët u baltoseshin në dheun si llavë dhe nga mali minutë pas minute u binin gurë të mëdhenj sikur të ishin "zemëruar" me shpatin e malit që i drejtohej përroit mes dy ngushtica malesh. Sikur të mos ishin këto dy të fundit , Qafë-Dardha , u përpi e tëra me njerëz e me dardhë. Dje, tragjedia "zbriti" në zyrat e prefekturës së Elbasanit dhe celularët "shqetësuan" shumë ministra dhe deputetë .
Prefekti në majë të malit
Shefqet Deliallisi, prefekt i Elbasanit, nuk përtoi të ngjitet të nesërmen e kësaj fatkeqësie gjer në zonën e Polisit dhe pikërisht në fshatin që mbante sytë nga qielli. Bashkë me të edhe zyrtarë të tjerë, pararoja e të cilëve mbetej prej tre ditësh, deputeti i zonës, Tauland Balla. Një makinë nga rezervat e shtetit do të shkarkonte me urgjencë në këtë fshat malor ca batanije dhe 20 çadra për familjet më në urgjencë, por një pjesë e tyre ruajnë ende çadrat e tri viteve më parë sikur ta dinin se do të shembeshin sërish këtë vit. Banorët, edhe pse në qiell të hapur, me shumë ndrojtje afroheshin tek kamioni, teksa dëgjonin emrin, me ndrojtjen e një lëmoshe të zyrtarizuar. Ndërkohë një grup specialistësh kanë përshkruar në këmbë gjithë territorin e fshatit ku kanë ndodhur shembjet masive përzier me gurë. Ky lloj inspektimi është bërë për të vetmin arsye që në planet e afërta të qeverisë shpërngulja e krejt fshatit drejt fshati Tokëz të rrethit të Librazhdit në një kazermë ushtarake ende të paprishur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›