Rama: Për ligjin e dosjeve do ti drejtohemi Gjykatës Kushtetuese

>Kryesocialisti Rama vazhdon të shprehë shqetësimin e tij për ligjin e lustracionit të miratuar nga parlamenti shqiptar pa miratimin e opozitës. Edi Rama i gjendur në pozitë të vështirë, pasi ky ligj prek në mënyrë të drejtëpërdrejtë një grupim të madh njerëzish të cilët punojnë në institucionet e drejtësisë, po reagon fort kundër këtij ligji. Shqipëria nuk bëhet dot Europë dhe as nuk hyn dot në Bashkimin Europian nëse politika e saj nuk flet gjuhën e këtij bashkimi dhe nuk respekton vlerat e parimet e këtij bashkimi,- kështu është shprehur dje në një deklaratë për shtyp, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Sipas, tij, kështu përkthehet deklarata e djeshme e Bashkimit Europian, e cila është në leximin tim shansi i fundit që Europa i jep Sali Berishës e kësaj maxhorance të papërgjegjshme, përpara sesa faturën e sjelljes antidemokratike e të marrëzive antikushtetuese të kryeministrit e të oborrit të tij, ta paguajë Shqipëria me shtyrjen pa afat të kërkesës për të marrë statusin e vendit kandidat e me të gjitha pasojat që ka për qytetarët e thjeshtë të këtij vendi një vonesë e re në rrugën e integrimit europian. .Kështu përkthehet shqetësimi i shprehur në deklaratën e djeshme të 27 vendeve të këtij bashkimi të madh dhe me këtë shqetësim ne do t'i drejtohemi menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit, pra pasnesër, Gjykatës Kushtetuese, ku do të provojmë antikushtetutshmërinë flagrante të këtij ligji famëkeq, tha ai. Rama u shpreh se miratimi i një ligji dosjesh me verbërinë e një shumice të thjeshtë, jashtë frymës europiane, jashtë kornizës së vlerave e parimeve të Bashkimit Europian, jashtë kufijve kushtetues të Republikës së Shqipërisë dhe me arrogancën provinciale që Sali Berisha tregoi pa kursim ndaj kritikave që erdhën nga të gjitha anët e tjera, brenda e jashtë vendit, ka bërë që sot 27 vendet e Bashkimit Europian të lëshojnë sinjalin më shqetësues të mundshëm. Më tej në fjalën e tij kryesocialisti Rama tha se, përkthimi im për kryeministrin që nuk e kupton gjuhën e Europës është që ta marrë këtë sinjal me seriozitetin më të madh dhe të kuptojë se, kur kanë mbetur edhe 151 ditë nga mandati që ka marrë për të afruar Shqipërinë me Europën, Sali Berisha s'mund ta zvarrisë edhe më shumë nga sa e ka zvarritur rrugën tonë drejt Bashkimit Europian, duke përdorur krimet e një regjimi të cilit për 25 vjet i shërbeu me devotshmëri, për të mbuluar mëkatet e qeverisë që qysh prej 3 korrikut 2005 drejton me papërgjegjshmëri. Për t'u hequr një orë e më parë shqiptarëve e shqiptareve,- tha ai, -kufijtë ndarës me Bashkimin Europian dhe për ta futur sa më shpejt Shqipërinë në programet e mëdha të zhvillimit europian, nuk na duhet një ligj që hap dosjet e komunizmit barbar për të mbyllur dosjet e kapitalizmit klanor, duke na ndarë më shumë me Europën, po një ligj lustracioni që flet gjuhën e Europës dhe respekton vlerat e parimet e Bashkimit Europian. Nuk na duhet një drejtësi nën presion dhe pa efektshmëri që mbyll sytë përpara malit të korrupsionit qeveritar apo që s'e pyet as Policia e Shtetit kur me urdhër të qeverisë duhet të dhunojë një gazetar, po një shtet i së drejtës ku pushteti gjyqësor garanton barazinë e shtetasve përpara ligjit dhe ku ndarja kushtetuese e pushteteve,së bashku me liritë e të drejtat kushtetuese të njerëzve, nuk mund as të diskutohet e jo më të cenohet nga maxhoranca qeverisëse e nga kryeministri i radhës,- përfundoi Rama.