E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lorik Cana: Tifozët tanë trembin çdo kundërshtar

TIRANE-Lorik Cana i beson shumë mbështetjes së tifozëve në dy ndeshjet e radhës që kombëtarja do të luajë ndaj Islandës e Sllovenisë, në "Qemal Stafa". Duke folur para mediave në grumbullimin e kombëtares në Durrës, kapiteni i përfaqësueses shqiptare është shprehur se një ndeshje si ajo e sotmja, do të vendoset nga episodet, ndërsa sipas tij, ndaj Islandës do të jetë një sfidë e barabartë.

"Ajo që i bën përshtypje çdo kundërshtari kur luan në fushën tonë, është fakti se ne kemi një nga stadiumet më të vogla të Evropës, por ndoshta nga më të zhurmshmit, - është shprehur Cana. - Shqiptarët, nëse janë 10, 12 apo 14 mijë në stadium, bëjnë një zhurmë të jashtëzakonshme, që u bën përshtypje edhe ekipeve si Franca, që luajnë para 60 apo 70 mijë personave. Kjo është për t'u vlerësuar. Ekipi ynë është në rritje, por kur kemi edhe lojtarin e 12-të, ndjejmë një ndihmë shumë të madhe. Në qoftë se na mbështet edhe publiku nga Kosova e Maqedonia, është e sigurt se do të jemi më të fortë", shton kapiteni kuqezi. Sipas Canës, grupi E i Botërorit është i barabartë dhe mund të ketë shumë surpriza. "Shumë njerëz mendojnë që mund të marrim 6 pikë nga këto dy ndeshje, por ky është vetëm një objektiv, - thotë Cana. - Ne mund të marrim edhe dy barazime apo dy humbje, pasi edhe në të shkuarën kemi humbur me kundërshtarë të këtij niveli dhe kemi fituar me kundërshtarë më të mëdhenj. Në këtë sezon mund të fitojmë çdo ndeshje, por edhe ndonjë barazim nuk do të ishte surprizë", deklaron më tej ai. Cana i druhet shumë edhe aftësisë së trajnerit të Islandës, Lars Lagerbak, që ka luajtur dy herë kundër Shqipërisë kur drejtonte Suedinë dhe ka një eksperiencë shumë të madhe në arenën ndërkombëtare.

"Lagerbak na njeh mirë dhe kjo është diçka plus për të, - thotë kapiteni i Shqipërisë. - Mendoj se ai është trajneri i duhur për Islandën dhe mund ta çojë këtë ekip përpara siç bëri me Suedinë. Veçse, shpresoj që kjo të mos ndodhë kundër nesh. Lagerbak është një trajner me eksperiencë dhe do të kërkojë të na surprizojë. Gjithsesi, ai e njeh mirë Shqipërinë. E di që ata do të hedhin në fushë një skuadër kompetitive, por edhe ne kemi forcat për t'i mundur. Shqipëria është një skuadër që nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë yll të futbollit botëror që të bëjë diferencën, por gjithnjë është bazuar te forca e grupit", përfundon Cana.

(d.b/a.latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›