E Diel, 1 Nëntor 2026

Lorik Cana, dje 25 vjetori i lindjes

 

Lorik Cana, mesfushori i kombëtares sonë kuqezi, kapiteni i Olimpikut të Marsejës, i lindur më 27 qershor 1983 në Prishtinë, ka festuar dje 25 vjetorin e lindjes. Karriera e tij futbollistike ka qenë gjithnjë në ngritje. Pasi e la Kosovën që i vogël, për shkak të luftës atje, u vendos në Zvicër. I udhëhequr nga babai i tij, Agim Cana, një futbollist i njohur i ekipit të Prishtinës, Loriku iu përkushtua futbollit, fillimisht me "Lausanne Sports" në Zvicër e pastaj kaloi në Francë, ilegalisht, përmes udhëtimit me tren. Atje, në vitin 2000, firmosi me Paris SG-në, ku qëndroi për 5 vite, derisa në sezonin 2005 2006, u transferua tek Olimpiku i Marsejës, ku luan edhe aktualisht, madje mban shiritin e kapitenit. Dje, ditën e 25 vjetorit të tij, Cana ka folur edhe për përgatitjet dhe objektivat e klubit të tij. "E kemi nisur shumë herët për t'u përgatitur për kampionatin, e sidomos për të bërë një paraqitje të mirë për ndeshjen e parë të Ligës së Kampioneve. Nuk na lejohet të gabojmë. Dhe për më të tepër në dy ndeshjet e para eliminatore. Gjatë kësaj kohe kemi bërë një punë shumë të madhe, për të krijuar një gjendje të mirë fizike. Tashmë na duhet të ndryshojmë fazën e punës. Tani është duke afruar kampionati dhe do të punojmë më shumë me anën taktike, lëvizshmërinë dhe topin. Sa më shumë kohë të kalojë, aq më mirë do të jemi. Eshtë shumë e rëndësishme ta fillojmë mirë kampionatin. Një fillim i mirë nuk është gjithçka, por kushtëzon në njëfarë mase vazhdimin. Dhe në Marsejë gjërat ndryshojnë shumë shpejt, në një kuptim, apo tjetrin. Një fillim i mirë na jep mundësinë për të bërë një sezon të bukur. E dimë se ndeshjet e Ligës së Kampioneve janë të vështira, por nga ana tjetër, i gëzon lojtarët dhe klubin. Jemi duke i përgatitur shumë mirë ato, prandaj shpresojmë të jemi të sukseshëm."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›