E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvrasja e gardistit, pyeten ushtarët dëshmitarë të ngjarjes

 

TIRANE – Hetuesit morën dje në pyetje një kushërirë të ushtarit të Gardës, që u vetëvra në repartin e Mulletit të martën në mbrëmje. Bashkë me të afërmin e viktimës mësohet se janë marrë në pyetje edhe kolegë të viktimës, ushtarë të tjerë të Gardës së Republikës. Policia tha se dëshmitarët ndodheshin fare pranë 19-vjeçarit nga Korça, Gëzim Adri, kur ai qëlloi veten me armën e shërbimit, duke mbetur i vdekuar në vend nga tri plumba që e goditën në kokë. Burime të policisë së kryeqytetit pohuan dje për gazetën “Panorama”, se një kushërirë i viktimës, i cili kishte gjithashtu 5 muaj në shërbim ashtu si edhe viktima, ka dhënë dëshmi me vlerë për hetimin. Sipas policisë, dëshmitarët janë shprehur se rreth pesë ushtarë kanë qenë pranë vendrojës ku bënte shërbim 19-vjeçari në kohën kur ndodhi ngjarja. Rrëfimet e dëshmitarëve janë marrë nga hetuesit, të cilat janë ballafaquar me këqyrjen e vendit të ngjarjes nga ekspertët. Hetuesit kanë vënë re se deklarimet personale e okulare kanë qenë përgjithësisht të përafërta në varësi të vendit ku secili prej personave ka qenë në kohën kur ka konstatuar ngjarjen. Kushëriri i viktimës ka pohuar se kishte qenë rreth 20 metra larg nga vendroja ku shërbente 19-vjeçari. Ai ka deklaruar se ka vënë re se ai po bënte diçka me armën, por nuk ka menduar se mund të shkonte drejt një vendimi të tillë. “Më pas ai tërhoqi shulin e automatikut, mbushi armën dhe më pas e mbështeti poshtë grykës. I thirra se ç’po bënte, por nuk zgjati shumë”, mësohet të ketë deklaruar kushëriri i 19-vjeçarit të vetëvrarë mbrëmjen e të mërkurës në repartin ushtarak të Gardës. Ndërkaq dëshmitarët e tjerë, shokë të viktimës, kanë pohuar se kanë parë kur ai ka kryer aktin e rëndë me sytë e tyre. Dëshmitë e tyre okulare janë administruar në dosje nga policia, ndërsa procedurat e hetimit janë ndjekur nga afër edhe nga oficerë të Policisë Gjyqësore të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm (SHKB). Nga verifikimi i kryer këta të fundit kanë mësuar se të gjitha procedurat e ndjekura në rastin me këtë ushtar kanë qenë të rregullta, në nxjerrjen e tij në shërbim dhe më parë. Dje në fshatin e lindjes së ushtarit është kryer edhe ceremonia e varrimit të gardistit Gëzim Adri, ku kanë marrë pjesë veç shokëve të tij të ngushtë edhe përfaqësues të Gardës së Republikës.  d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›