E Diel, 1 Nëntor 2026

QSU, hiqen nga puna 50 infermiere pa diploma

 

Zirina llambro

Pa shumë bujë, por plot 50 infermiere janë hequr nga puna për dy muaj në spitalin “Nënë Tereza”. Këtë konfirmuan për gazetën burime të sigurta nga Drejtoria e QSU. Nuk i ka rënë lapsi për shkak të ndonjë reforme. Janë larguar pasi ishin marrë në punë, pa plotësuar asnjë nga kriteret e vendosura për personelin e mesëm. “Pas verifikimit që iu bë stafit të administratës, por edhe në pavijone rezultoi, se kjo pjesë e personelit nuk plotësonte standardet. Pushimet nga puna janë bërë në mënyrë graduale dhe nga pjesa më e madhe e të larguarve nuk ka pasur asnjë kundërshtim”, pohuan burimet. Këto shkurtime në një farë mënyrë ishin paralajmëruar nga drejtoresha e spitalit Gjeorgjina Kuli. Që pas marrjes së postit, ajo deklaroi se gjatë kohës kur spitali nuk drejtohej prej saj ishin futur në punë një numër i lartë personash. Nga sa ka pohuar vetë Kuli, rreth 140 vetë ishin bërë pjesë e administratës dhe stafit mjekësor gjatë vitit 2007. Kjo në një kohë kur as Ministria e Shëndetësisë që mbulon gjithë vendin nuk ka kaq shumë punonjës. Burimet nga drejtoria pohuan gjithashtu, se në Qendrën spitalore nuk do të futet më askush në punë, nëse nuk është e nevojshme dhe nëse nuk plotësojnë kriteret. “Për personelin e mesëm ka dy vjet tashmë që janë miratuar rregullat e reja të punësimit. Ata duhet patjetër të kenë mbaruar shkollën e lartë dhe do i nënshtrohen një konkursi sa herë hapen vende të reja punë. Në spital më shumë se në çdo vend tjetër duhet të zbatohen standardet e marrjes në punë. Kjo pasi paaftësia rëndon direkt mbi shëndetin e pacientit”, pohuan burimet. Drejtoria e QSU, pritet të mbyllë brenda këtij viti edhe një sërë tenderësh të rëndësishëm. Me përfundimin e procedurave të prokurimit, spitalit do t’i shtohen aparatura të reja. Gjithashtu, ndonëse kriza e medikamenteve nuk do mund të zgjidhet këtë vit, të paktën për të ardhshmin do të menaxhohet më lehtësisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›