Lorik Cana, në të njëjtin aeroplan me kundërshtarët
Lorik Cana do të mbërrijë sot në Shqipëri për ditën e parë të grumbullimit të Kombëtares, për miqësoren e 11 gushtit kundër Uzbekistanit. Por, fakti interesant është se ashtu si ndodhi në ndeshjen miqësore me Irlandën e Veriut (të luajtur në fillim të marsit), edhe këtë herë mesfushori do të udhëtojë me kundërshtarët e Shqipërisë. Në fakt, ai do të zbarkojë në aeroportin “Nënë Tereza” në orën 09.00 të mëngjesit, ndërsa me të njëjtën linjë në Tiranë do të mbërrijë edhe përfaqësuesja e uzbeke. Cana do të niset nga Stambolli, ndërsa do të takohet me rivalët e kuqezinjve në aeroportin e qytetit më të madh turk. Në mungesë të Ervin Skelës, Cana pritet të mbajë shiritin e kapitenit në ndeshjen që do të startojë në orën 20.30 në “Niko Dovana” të Durrësit. Ai vjen në Kombëtare pas paraqitjes së mirë me Gallatasarain në ndeshjen e kthimit të turit të tretë eliminator të Europa League, në fushën e OFK Beogradit. 27-vjeçari u aktivizua gjatë gjithë lojës në fitoren 5-1 kundër ekipit serb, ndërsa u vlerësua për punën e tij në fazën mbrojtëse. Gazeta turke “Fanatik” shkruante: “Sulmet e kundërshtarëve në mesfushë duhet të përballen me Canën. Përqindja e topave të fituar dhe atyre të pasuar te shokët e skuadrës nga ylli shqiptar nuk kaloi pa rënë në sy”. Gjatë atyre 90 minutave, Cana realizoi 43 pasime, 33 prej të cilëve ishin të saktë, ndërsa ka qenë prezent në 46 situata ku luftohej për topin.
#