E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin përgatitjet, Januzi mbetet jashtë

Grumbullimi

Sot në mesditë, Kombëtarja shqiptare do të nisë grumbullimin në prag të ndeshjes miqësore me Uzbekistanin. Duke qenë se në këtë periudhë është piku i pushimeve verore në bregdetin e Durrësit, kuqezinjtë nuk do të qëndrojnë në qytetin bregdetar, por do të akomodohen në hotel “Tirana Internacional” në kryeqytet. Vetëm pak orë përpara paraqitjes nën urdhrat e trajnerit Josip Kuzhe, Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar zyrtarisht për mungesën e sulmuesit të ri, Ahmed Januzi. Së fundmi, lojtari i talentuar ka pësuar frakturë në dorë gjatë aktivizimit me Vorskla Poltavën në kampionatin ukrainas. 22-vjeçari, që më 11 gusht priste të debutonte me përfaqësuesen “A”, është vizituar nga stafi mjekësor i klubit të Vyscha Ligas, të cilët i kanë komunikuar se ende nuk është në gjendje të stërvitet, ndërsa as që nuk mund të diskutohet për t’u aktivizuar në ndeshje. Lojtari ka njoftuar menjëherë trajnerin Kuzhe dhe FSHF-në dhe ka marrë leje që të mos paraqitet në grumbullimin për sfidën me Uzbekistanin. Burime zyrtare të federatës kanë njoftuar gjithashtu se drejtuesi i stolit kuqezi nuk do ta zëvendësojë sulmuesin, por do të mbajë në dispozicion grupin me 21 lojtarë.

Në ditët e para të grumbullimit të skuadrës, e cila do të zhvillojë stërvitjen e parë në orën 18.00 në fushën stërvitore “Skënder Halili”, do të mungojnë shtatë lojtarë. Kjo, për faktin se Beqaj, Bogdani, Dallku e Vangjeli do të mbërrijnë të hënën, ndërsa të martën kontingjentit do t’i bashkohen edhe Curri, Salihi dhe Agolli. Të hënën Kombëtarja do të zhvillojë dy seanca stërvitore, ndërsa të martën skuadra do të zhvillojë përgatitjet e fundit përpara ndeshjes. Miqësorja kundër uzbekëve do të luhet të mërkurën në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, në orën 20.30.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›