E Diel, 1 Nëntor 2026

Arjan Beqaj: Shqipëria ka mentalitet fituesi

Pas 17 muajve mungesë, portieri analizon Kombëtaren

Arjan Beqaj kthehet optimist në Kombëtare. “Gardiani” veteran është grumbulluar për miqësoren e 11 gushtit kundër Uzbekistanit pas ofro 17 muajve mungesë, ndërsa do të “luftojë” për të konfirmuar se është numri 1 i portës kuqezi. 34-vjeçari bën një analizë rreth ecurisë së Shqipërisë, ndërsa vlerëson punën e bërë nga trajneri Josip Kuzhe. Sipas tij, përfaqësuesja ka gjetur mentalitetin fitues dhe ka zhvilluar lojë të bukur në ndeshjet e fundit. “Edhe pse nuk kam qenë pjesë e skuadrës, për shkak të dëmtimit, i kam ndjekur të gjitha ndeshjet që Kombëtarja ka luajtur së fundmi, deklaroi Beqaj për kosovaren ‘Express’. Mund të them se Shqipëria është paraqitur mjaft mirë. Në ekip ka nisur të krijohet një mentalitet fituesi dhe kjo është shumë e rëndësishme. Trajneri Kuzhe po punon mirë, ndërsa lojtarët po i zbatojnë me sukses urdhrat e tij”.

Në mars të vitit të kaluar, portieri pësoi një dëmtim të rëndë në shpatull dhe u detyrua të qëndronte për shumë kohë jashtë fushave të lojës. Tashmë, lojtari i Olimpiakos Nikosias është rehabilituar plotësisht dhe ndihet i lumtur që do të takohet me shokët e Kombëtares. Ai ishte grumbulluar edhe për dy miqësoret e mëparshme, kundër Malit të Zi dhe Andorrës, por nuk iu përgjigj ftesës për shkaqe personale. Beqaj tha: “Padyshim që rikthimi në Kombëtare është një moment mjaft i mirë për mua, sepse realisht, gjatë gjithë kësaj kohe më ka munguar ekipi kuqezi. Për arsye personale, por edhe sepse nuk kam qenë mirë me shëndet, e kisha të pamundur t’i bashkohesha më shpejt skuadrës. Megjithatë tani jam i gëzuar që po kthehem, sepse kam kaluar vërtet çaste të mira në Kombëtare”. Ndeshja, e cila do të luhet në “Niko Dovana” në Durrës, me Uzbekistanin është test i përgjithshëm për kuqezinjtë e Josip Kuzhe, pasi më 4 dhe 8 shtator Shqipëria do të luajë dy ndeshjet e para eliminatore me Rumaninë dhe Luksemburgun, të vlefshme për Grupin D të Euro 2012. Beqaj i vlerëson si shumë të rëndësishme dy sfidat e para: sipas tij, kuqezinjtë duhet të marrin rezultate, në mënyrë që të fitojnë besim për ndeshjen pasardhëse në grup me Francën, Bosnjë-Hercegovinën dhe Bjellorusinë. “është shumë e rëndësishme t’i nisim sa më mirë eliminatoret. Duhet të jemi maksimalisht të përqendruar, për të arritur rezultate pozitive që prej ndeshjeve të para. Në këtë mënyrë do të motivoheshim dhe do të kishim më shumë besim në forcat tona. Duhet të shfaqemi efikasë, mbi të gjitha në dy ndeshjet e para”, shtoi 34-vjeçari. Në fund, portieri analizoi edhe kundërshtarët e kuqezinjve: “Jam i bindur se Franca do të shkëlqejë me trajnerin e ri. Ata janë ekipi favorit në grup. Rumania nuk është më skuadra e para katër viteve. Tani janë shumë më të fortë. Po ashtu, Bosnjë-Hercegovina ka skuadër me lojtarë të rinj dhe mjaftë cilësorë”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›