Lorik Cana në verë vesh fanellën e Shalke 04!
Kampionati gjerman kaq shumë i ëndërruar prej tij. Ky duket fati i ardhshëm për Lorik Canën, ish-kapitenin e Marsejës dhe të Sandërlendit, që luan këtë sezon në Turqi me Gallatasarajin. Sipas mediave italiane të transferimeve (saktësisht calciomercato.com), është Shalke 04 që interesohet për mesfushorin shqiptar 27-vjeçar, që në qershor mund të bashkohet me klubin e Gelsenkirshenit ku luan spanjolli i famshëm, ish-kapiten i Realit të Madridit. Pas provave nga Anglia në janar, është tashmë Gjermania që kërkon t’i japë një etapë të re kosovarit kuqezi në karrierën e tij të pasur, në të cilën ka provuar Francën, ishullin britanik dhe Turqinë. Në një sezon krejtësisht jashtë objektivave të klubit turk, Cana është ndër të paktët lojtarë që vlerësohen pozitivisht dhe që pëlqehen nga tifozët e ekipit. Gallatasaraj është në vendin e 11-të në renditje në Superligën turke, ndërsa besohet se edhe lojtarë të tjerë do të largohen si australianët Harri Kjuell e Lukas Neill apo edhe kapiteni Arda Turan, për të ulur kostot e investimeve të gabuara financiare dhe të dështimeve sportive. Cana u transferua në Stamboll që nga Sandërlendi verën e kaluar për 5 milionë stërlina, rreth 6 milionë euro në atë kohë. Kështu, vijojnë të përforcohen zërat se shumë shpejt Cana do të ndryshojë sërish fanellë.