Tirana e Vllaznia drejt finales!
Tirana e Vllaznia fitojnë të parën dhe janë më pranë finales së madhe të Kupës së Shqipërisë! Kryeqytetasit dhe shkodranët kanë fituar me nga një gol diferencë takimet shtëpiake, rezultate që mund të jenë shumë të vlefshme në prag të përballjes së dytë pas dy javësh. Autogoli i Mancakut dhe golat e Nallbanit e Sukajt mund të jenë ata që do t’i vënë këto dy skuadra përballë në finale. Sidoqoftë, shpresa ka edhe për Besën e Dinamon, që janë mposhtur minmalisht. Nëse për kavajasit shanset janë më të pakta, për blutë goli i Martinenës mund të jetë përcaktues sepse një fitore 1-0 do dërgonte Dinamon në finale.
Tirana e nis mirë ndeshjen e saj, ndërsa Besa është më e druajtur. Bardheblutë mësyjnë me forca të shumta drejt kuadratit të mbrojtur nga Kotorri, por golin e vetëm tëv takimit do ta shënojë një verdhezi. 24 herë kampionët fitojë një goditje dënimi në të djathtë të zonës. Harkimi i Gilman Likës ndërpritet nga Mancaku, por kapteni verdhezi e dërgon topin në rrjetë. Është minuta e 15-të dhe Tirana gjen golin e avantazhit. Më pas, skuadra e Misho Krstiçeviçeviçit do të kërkojë të sigurojë shifrat 2-0, që do të ishin një rezultat fantastik për ta, por Pejiç nuk është në ditë të mirë dhe në pjesën e dytë do të shpërdorojë të paktën dy raste të pastra për shënim. Nga ana tjetër, Besa kërkon të befasojë vetëm në minutat e fundit të takimit, por djemtë e Haxhiut nuk mundën të bënin asgjë më shumë përpara një Tirane që u shfaq shumë më në formë sesa ta.
Një gol i argjentinasit Nestor Gabriel Martinena dy minuta përpara përfundimit i mbajti gjallë shpresat e Dinamos për një vend në finalen e Kupës së Shqipërisë, pas fitores 2-1 të Vllaznisë në “Loro Boriçi” në ndeshjen e parë gjysmëfinale. Vllaznia zhvilloi një lojë më të pëlqyeshme, duke ushtruar presion të vazhdueshëm mbi kundërshtarin. Në minutën e parë shtesë së pjesës së parë, Dritan Smajli depërtoi drejt zonës së Dinamos, fitoi dyluftimin me Xhafën, harkoi për Ilir Nallbanin, dhe mesfushori kosovar nuk fali duke shënuar golin e parë për Vllazninë. Në fraksionin e dytë të lojës, Vllaznia gjen golin e dytë falë talentit të saj Xhevahir Sukaj, që në minutën e 59-të mposht edhe njëherë formacionin kryeqytetas. Shkodranët shtojnë presionin ndaj Dinamos dhe kërkojnë golin e tretë, çka do ta çonte thuajse 100% në finale, por ‘nëndetësja’ do të gjente një shteg për të lënë të hapur kualifikimin. Rastet e humbura nga shkodranët do të shndërrohen në ligjin e pashkruar të futbollit, kur Martinena, në një nga momentet e vetme për shënim, do të realizojë golin e shpresës, pas një kundërsulmi të shpejtë.
Ndeshjet e kthimit do të zhvillohen pas dy javësh, më 6 prill.