Lorik Jashari dyshohet si koka e grupit kriminal

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për krime të rënda ka marrë vendim për sekuestrimin e një banese shtatëkatëshe në vlerë prej 1 milion eurosh, pronë e biznesmenit Lorik Jashari, i dyshuari kryesor i një grupi biznesmenësh, të cilët dyshohen për shmangie tatimi dhe shpërlarje parash.
Vendimi për sekuestrim është marrë të martën nga ana e Gjykatës pas kërkesës së prokurorit të Prokurorisë Speciale Ali Rexha.
Të dyshuarit Kadri Mustafa, pronar i kompanisë “Flaka Com”, Lorik Jashari, pronar i kompanisë “Loral SHPK, Naman Pacolli, pronar i kompanisë “Xoni”, Xhemajl Mustafa, pronar i kompanisë “Loni Com, Albert Fazliu, pronar i kompanisë “Ilir Kosova”, tashe një muaj gjenden në paraburgim, ndërsa i dyshuari i gjashtë Mahmut Gashi, pronar i kompanisë “Yllka Com”, për shkaqe shëndetësore gjendet në arrest shtëpiak, shkruan Kosova Sot.
Prokurori Ali Rexha, ka bërë të ditur se të njëjtit dyshohen lidhur me veprën penale krim i iorganizuar me shpërlarje parash dhe shmangie nga tatimi, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës mbi 1 milion euro.
“Dyshohet se Lorik Jashari është koka e gjithë këtij aktiviteti kriminal, sepse objekti shtatëkatësh, që është ndërtuar në qendër të Ferizajt është pronë e tij, ndërtimi i së cilit ka filluar së ndërtuari në vitin 2007, ndërsa aktiviteti kriminal dyshohet se ka filluar nga viti 2005 e deri më tani”, ka bërë të ditur prokurori Rexha./Indeksonline/