Debatojnë për krimet e luftës

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në dy seanca plenare. Prej orës 10.00, deputetëtë do të zhvillojnë debat parlamentar lidhur me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, roli i EULEX-it, Qeverisë së Kosovës dhe periudha e tranzicionit, sipas kërkesës së deputetit Kurtan Kajtazi, mbështetur nga deputetët nënshkrues. Në të vërtetë kjo është vazhdim i seancës së papërfunduar të javës së shkuar.
Ndërsa në seancën e re të rregullt , në orën 12.00, deputetët pas shterimit të pikave të përhershme të rendit të ditës: Koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe Koha për pyetje parlamentare, do të merren me shqyrtimin e projektligjeve.
Për herë të dytë do të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-165 për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013, kurse për herë të parë do të shqyrtohen: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, Projektligji nr. 04/L-206 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-047 për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës, si dhe Projektligji për tregun e naftës dhe të produktet e naftës në Kosovë.
Për herë të dytë parashihen, ndërkaq, do të shqyrtohen edhe këto projektligje: Projektligji për ekzekutimin e sanksioneve penale, Projektligji për tregtinë e mallrave strategjikë, si dhe Projektligji për shfrytëzimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesës në bashkëpronësi.
Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet Raporti vjetor i punës së Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2012, Raporti i Qeverisë së Kosovës për funksionimin e sistemit të auditimit të brendshëm në sektorin publik të Kosovës për vitin 2012, si dhe Raporti i punës së Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas.
Në përfundim të seancës parashihet zgjedhja e një anëtari të Këshillit Drejtues të Institutin Gjyqësor të Kosovës./Indeksonline/