E Shtunë, 31 Tetor 2026

Loro Boriçi, gati ndërtimi i tribunës

Vllaznia

Më në fund duket se po afron koha e ndërtimit të tribunës anësore të munguar të stadiumit “Loro Boriçi”. Ky është lajmi i fundit që mbërrin nga Shkodra, ku shumë shpejt pritet të aplikohet zbatimi i projektit të hartuar nga drejtuesit e klubit Vllaznia dhe atyre të FSHF-së. Punimet për rikonstruksionin e tapetit të stadiumit filluan në momentin që skuadra u largua drejt Serbisë. Drejtori organizativ, Kujtim Shaba, është i ngarkuar me detyrën për të ndjekur nga afër punimet, të cilat pritet të jenë jo të vogla, pasi tapeti duhet të jetë i gatshëm më 21 gusht, kur edhe nis kampionati. “Kemi nisur punimet me një intensitet të lartë. Mendoj se ne do të jemi gati për të luajtur ndeshjet që në javën e parë të Superiores. Do të bëjmë maksimumin që Vllaznia ta luajë ndeshjen e parë ndaj Bylisit në Shkodër. Por jo çdo gjë varet nga ne, pasi në qoftë se do të ketë reshje, do të ngadalësojnë punimet”, është shprehur Shaba. Ndërkohë që tapeti është mundësuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, drejtuesit e saj kanë premtuar se do ta sjellin atë. Për sa i përket cilësisë së tapetit të ri mendohet se ai do të jetë më jetëgjatë. Kjo për arsyen se punimet do të realizohen me cilësi maksimale. “Dua të them se punimet për tapetin e ri do të jenë cilësore”, theksoi drejtoi organizativ i Vllaznisë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›