Argjentina: Lamtumirë Maradonës!
Lajmi i divorcit mes Maradonës dhe Selesionit, i filluar të konkretizohej dje pas takimit të shumëpritur me Grondonan, është zyrtarizuar nga vetë presidenti i federatës AFA. “Komiteti ekzekutiv vendosi me unanimitet për të mos e rinovuar marrëveshjen me Diego Armando Maradonën në drejtimin e Selesion”, ishte komunikata zyrtare e zëdhënësit të AFA-së. “është një keqardhje e madhe që na duhet të heqim dorë nga një personazh si Maradona, pas të cilit jemi dashuruar të gjithë dhe të cilin e falënderojmë për atë që gjithnjë ka bërë, por i urojmë fat”, shtoi nëpunësi i federatës, i cili, pa sqaruar detajet që çuan në divorc, ka shpjeguar thjesht se “u arrit në këtë vendim, për shkak të distancës së kërkesë-ofertave mes Maradonës dhe Grondonas”. Pas vetëm 6030 ditësh, mbyllet pra kapitulli Maradona në drejtimin e Selesion, më i shkurtri i erës Grondona.
Divorci i pashmangshëm — “Situata është e pakthyeshme. Asnjë nuk mund të jetë aq naiv sa të mendojë se Maradona do pranojë të tilla kushte”, tha përgatitësi atletik i Selesion, Fernando Sinjorini, një nga të besuarit e ish-“el Pibe de Oro”. Takimi kokë më kokë, që duhej të ishte një formalitet, në realitet u mbyll në mënyrën më të befasishme, duke mos lënë vend për tratativa të tjera. “Në këto kushte nuk ka asnjë mundësi që të qëndroj”, ishte komenti i parë i Maradonës në një prononcim surprizë për “Tv America”. Motivi kryesor i mosmarrëveshjes ishte kërkesa e Grondonës për të larguar 7 nga 9 anëtarët e stafit teknik, eventualitet që Maradona kishte thënë gjithnjë se nuk do ta pranonte. “Nëse më heqin edhe një masazhator, nuk pranoj", ka theksuar sërish dje “el Pibe de Oro”.
I vetëm kundër të gjithëve – Rreth Maradonës është bërë tokë e djegur, madje janë zhdukur edhe drejtuesit që fillimisht i dhanë një mbështetje plebishitare. Heshtja e gjatë ka përfunduar me irritimin e federatës dhe të qeverisë, që pas mbështetjes fillestare ka vendosur të distancohet nga indiferenca e ish-“el Pibe de Oro”-s (duket se presidentja Kirshner ka mbetur shumë e zhgënjyer nga mungesa e përgjigjes për ftesën në pallatin presidencial). Nga nisja për në Venezuelë, Maradona ka fikur telefonin dhe është izoluar, duke refuzuar telefonatat e shumë drejtuesve të federatës dhe disa eksponentëve të qeverisë.
Mungesa e autokritikës — Sjellja e Maradonës ka irrituar edhe shumë tifozë dhe konsensusi popullor ka shkuar drejt uljes. Mungesa e autokritikës ka shqetësuar jo vetëm mediat, por mbi të gjitha presidentin Grondona. “është prezantuar si të kishte fituar botërorin”, ka thënë në konfidencë për të përditshmen “Olé”. “A e kam riparë ndeshjen? Jo, dhe as që kam ndërmend ta rishoh”, ka përsëritur përgjigjen Maradona në “Tv America”.
Diego nuk flet – Ende asnjë deklaratë e Maradonës, i cili e ka marrë lajmin nga televizionet dhe që ka lajmëruar një konferencë për në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Pak minuta pas lajmërimit zyrtar të divorcit, qindra tifozë të irrituar janë mbledhur para federatës për të protestuar kundër Grondonës, i cili pas daljes nga ndërtesa lëshoi deklaratat e para.
Gordona mbrohet — "Nuk është shkelmuar askush. Flitet për një mosrinovim”, shpjegon ai, duke siguruar se nuk ishte një vendim i lehtë. “Për fat të keq nuk gjetëm një marrëveshje dhe më vjen keq. Jam i lidhur me Diegon që nga 1979, por është e vështirë të biesh dakord, kur dy koka mendojnë në mënyrë kaq të ndryshme”, tha Grondona, pa hyrë në detaje. Dhe të mendosh se 10 ditë më parë, Grondona vetë kishte pohuar: “Maradona është i vetmi që mund t’i lejojë vetes të bëjë ç’të dojë. Diego u mbyll në vetvete dhe nuk pranoi asnjë ndryshim të stafit të tij, siç i kërkonte federata”.
#