Rrëzohet rekursi i Riza Malajt
Armand Bajrami
Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Riza Malajt kundër dënimit të dhënë ndaj tij nga Gjykata e Krimeve të Rënda, për akuzat e vrasjes dhe prishjes së qetësisë publike. Një vendim i pak ditëve më parë i kësaj gjykate, nuk i dha të drejtën e rekursit në këtë gjykatë personazhit të njohur si i “forti i Tropojës”. Bëhet e ditur se Malaj kishte kërkuar t’i bënte rekurs vendimit të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, për dënimin prej 12 vjet burg, dhënë në vitin 2006. Aktualisht, Riza Malaj ndodhet në spitalin e burgjeve për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Për shkak të një incidenti me një sasi tritoli gjatë peshkimit në qytetin e Tropojës, ai ka pësuar dëmtime të rënda në gjymtyrë, në fytyrë, si edhe ka humbur një pjesë të shikimit.
MOSPRANIMI
Me një shpallje të datës 15 korrik 2009, Gjykata e Lartë njoftonte mospranimin e rekursit me të pandehur shtetasin Riza Malaj. Burime pranë kësaj gjykatë bënë të ditur se nga këqyrja e kërkesës së Malajt për rekurs dhe dosjes në ngarkim të tij nuk janë vënë re shkelje procedurale, të nevojshme për një shqyrtim të dosjes në Gjykatën e Lartë. Mësohet se i dënuari Malaj, kishte kërkuar rekurs për vendimin e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda në vitin 2006. Në të njëjtin vit, Riza Malaj ishte dënuar me 15 vjet heqje lirie nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për akuzat e “vrasjes së mbëtur në tentativë” dhe “prishje të qetësisë publike”. Avokati i Malajt e ccoi këtë vendim në Gjykatën e Apelit ku shqyrtimi i dosjes u pasua në fund me dhënien e vendimit që uli në 12 vjet heqje lirie dënimin ndaj Riza Malajt. Por edhe pas kësaj, Malaj dhe avokati i tij nuk ishin dakord me vendimin. Verdikti i dhënë nga Apeli u dërgua me rekurs në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit, pasi shqyrtoi çështjen, vendosi të mos pranojë rekursin e palës ankuese duke e rrëzuar atë përfundimisht dhe duke lënë në fuqi dënimin e dhënë nga Apeli i Krimeve të Rënda me 12 vjet burg.
LIRIMI
Ndërsa po vuante dënimin e dhënë nga togat e zeza të Krimeve të Rënda, një vendim i po kësaj gjykate e liroi atë me kusht në vitin 2007 dhe lënien e tij në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Në vendim togat e zeza të gjykatës patën parasysh pamundësitë e tij fizike, për shkak të gjymtimit të shkaktuar nga shpërthimi i eksplozivit. Por, vetëm 2 muaj pasi kishte lënë qelinë, organi i akuzës filloi një tjetër procedim penale ndaj tij. Këtë herë, Malaj u akuzua për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”. Ai dyshohej se me anë të thirrjeve telefonike i kishte kërkuar 50 mijë euro një biznesmeni ndërtimi, duke i pohuar se në rast mospagimit të “gjobës” do t’i hidhte në erë makineritë e firmës së tij. Edhe ky precedent u mor në hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë.