Protesta e PS-së në Lushnjë, Rama: “Hapja e kutive është çlirimi nga Berisha”
Shaban Sulçe
Partia Socialiste, së bashku me partitë e tjera opozitare, të majta e të djathta, kanë zhvilluar dje në qytetin e Lushnjës protestën për hapjen e kutive të votimit. Në këtë protestë ka marrë pjesë kryetari i PS-së, Edi Rama, kreu i PLD-së, Spartak Ngjela, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, ish-anëtari i Kryesisë së LSI-së, Ndre Legisi, si dhe shumica e deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Liderët e opozitës kanë hedhur akuza të ashpra në drejtim të kryeministrit Sali Berisha, të cilin e kanë akuzuar se ka grabitur votat e shqiptarëve në zgjedhjet e 28 qershorit. Krerët e PS-së kanë kërkuar hapjen e kutive të votimit. Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve lushnjarë dhe të të gjithë Shqipërisë që të marrin pjesë në protestën e madhe të 20 nëntorit, e cila do të zhvillohet në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
Ruçi
Takimi është hapur nga kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, i cili tha se nisma e PS-së për të protestuar për hapjen e kutive të votimit tashmë nuk është vetëm një kauzë e saj, por kauzë e të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga bindjet politike. “Kauza që sot po mbron Grupi Parlamentar i PS-së e nuk është kauza jonë, nuk është kauza e tyre, është kauza e të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga bindjet politike. Të gjithë shqiptarët kanë nevojë për demokraci, për votën e lirë, për fjalën e lirë, për lirinë e punës, lirinë e pronës, të gjithë shqiptarët janë në luftë me korrupsionin dhe krimin. Ja pse kauza e PS-së nuk është vetëm e jona, por e të gjithë shqiptarëve, të majtë e të djathtë. Unë në emrin tuaj kam vetëm një mesazh për Sali Berishën: Kambanat po bien dhe duhet që Sali Berisha, nëse ka veshë t’i dëgjojë, nëse ka sy t’i shikojë, nëse ka mend, sado pak ta gjykojë, sa nuk është vonë. I bëjmë thirrje që ky është vetëm fillimi, vazhdimi do të jetë shumë i hidhur, por do të jetë shumë i ëmbël për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne socialistët nuk do të lodhemi kurrë për të kërkuar dhe plotësuar kërkesat tona të panegociueshme për transparencën e kutive, për të bërë të lirë fjalën e lirë”, - tha Ruçi.
Rama
Gjatë fjalës së tij në protestën e djeshme në qytetin e Lushnjës, kryetari i Partisë Socialiste deklaroi se shteti ka dalë nga binarët e Kushtetutës. Kryesocialisti akuzoi kryeministrin se grabiti votat e shqiptarëve në mënyrë që të vazhdojë të vjedhë dhe të grabisë pronat e shqiptarëve. “Sali Berisha i grabiti zgjedhjet për të vazhduar të grabisë Shqipërinë e shqiptarët. Pushteti i familjes Berisha dhe i sojit e sorollopit të tij është shtrirë si një rrjetë merimange në çdo sektor të jetës së vendit. Pronat publike e private të shqiptarëve nuk janë të sigurta, sepse janë nën kërcënimin e oreksit të pashuajtshëm të familjes që qeveris Shqipërinë. Sali Berisha nuk do që kutitë e votimit të 28 qershorit të hapen, sepse ato kuti janë fundi i pushtetit të familjes së tij, që e ka zhytur në krizë demokracinë, shtetin e së drejtës, ekonominë e familjeve shqiptare. Sali Berisha nuk do që ato kuti të hapen, sepse hapja e kutive të 28 qershorit i mbyll rrugën vjedhjeve e mashtrimeve me pronat publike e private të shqiptarëve. Sali Berisha nuk do që ato kuti të hapen, sepse hapja e kutive të 28 qershorit është çlirimi i zgjedhjeve në Shqipëri nga zgjedha e pushtetit të radhës, është çlirimi i shqiptarëve nga zgjedha e pushtetit të grabitur, është çlirimi i qytetarëve të këtij vendi nga zgjedha e injorancës, harbutllëkut dhe korrupsionit që mishëron politika e vjetër e pushtetit familjar dhe klanor të Sali Berishës. Hapja e kutive është çlirimi nga vetë Sali Berisha”, - tha Rama. Kryetari i PS-së u bëri thirrje qytetarëve të Lushnjës dhe të të gjithë Shqipërisë që të marrin pjesë në protestën e madhe që do të organizojë Partia Socialiste në datën 20 nëntor në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Rama ftoi që të marrin pjesë në këtë protestë të gjithë ata që i kanë hequr nga puna për motive politike, të gjithë ata që u janë grabitur pronat, të përndjekurit që vazhdojnë të persekutohen, të palegalizuarit, të cilët janë mashtruar nga qeveria, ushtarakët e liruar që po u mohohen pensionet etj.
Legisi: “Ka ardhur koha që të marrë fund prekja e votave të shqiptarëve”
Ish-anëtari i Kryesisë së LSI-së, Ndre Legisi, gjatë fjalës së tij në protestë i kërkoi kryeministrit Berisha që të hapë kutitë e votimit, pasi, sipas tij, ai nuk mund të vazhdojë të qeverisë edhe më tej me votat e vjedhura dhe të trafikuara. “Ka ardhur koha që vota e popullit nuk duhet të preket, që njerëzit të votojnë të lirë dhe jo të dhunuar nga bandat kriminale të Sali Berishës. Ka ardhur dita që të bashkohemi së bashku, pasi kur u ndamë, u ndamë me mendimin për të korrigjuar të majtën. Ne nuk u ndamë për të mbajtur në pushtet Sali Berishën. Ne nuk protestuam për të mbajtur Berishën në pushtet. Sali Berisha heziton të hapë kutitë e votimit, sepse në ato kuti është krimi i Gërdecit, sepse aty janë vilat e qeveritarëve. Berisha nuk pranon t’i hapë kutitë e votimit, sepse aty janë trojet dhe tokat që u janë marrë qytetarëve shqiptarë”, - tha Legisi.
Gjinushi: “Të gjithë së bashku do ta fitojmë betejën për hapjen e kutive të votimit”
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, tha se i gjithë populli opozitar, nëse qëndron i bashkuar, do të arrijë të fitojë betejën për hapjen e kutive të votimit. Gjinushi u shpreh se këtë synim nuk e pengojnë dot as 4 mandatet e LSI-së dhe as mandatet e ndonjë deputeti të PS-së që mund të futet në Kuvend. “Do ta fitojmë së bashku betejën për hapjen e kutive të votimit. Populli shqiptar në 28 qershori votoi kundër Sali Berishës. Berisha duhet të largohet. Edhe ata që votuan LSI-në, votuan që LSI-ja, bashkë me ne, të hiqnim Berishën, dhe jo që Berisha dhe mercenarët e LSI-së të hiqnin popullin e majtë nga puna. Ju nuk votuat më 28 qershor, që Shqipëria të mbetej vendi i fundit në rajon për liberalizimin e vizave. Ju votuar që të hiqnit vizat, dhe jo për vizat e drogës që tërheq Saliu. E vërteta e 28 qershorit nuk do të vonojë. Të vërtetën nuk e shpëtojnë as katër mandatet e LSI-së që shkuan në krah të Saliut dhe as ndonjë mandat tjetër që mezi pret të shkojë në krah të Jozefinës”, - tha Topalli.
Ngjela: “65 deputetët e Partisë Socialiste do të hyjnë në histori”
Kryetari i Partisë Ligj për Drejtësi, Spartak Ngjela, deklaroi se 65 deputetët e Partisë Socialiste, me vendimin e tyre për të bojkotuar Kuvendin dhe për të protestuar për hapjen e kutive të votimit, do të hyjnë në histori. Ngjela tha se kryeministri Berisha ka frikë të hapë kutitë e votimit, sepse po tenton të mbajë me forcë një pushtet të grabitur. “65 deputetët e PS-së që kanë marrë vendimin për të bojkotuar këtë parlament pa legjitimitet, do të hyjnë në histori, sepse po tentojnë të shkallmojnë një tirani të gjatë dhe të egër. Kjo është një kohë historike, dhe shumë mirë që bëni pjesë edhe ju. Koha na ka thirrur të gjithëve për të krijuar idenë se nuk jemi numra dhe statistika, por jemi njerëz me personalitet. Arsyeja që këta njerëz ngulmojnë për të mbajtur një pushtet të paligjshëm është sepse kanë frikë nga ligji. Ku mund ta kenë vendin këta njerëz, që vodhën gjithë pronën shtetërore, pronën private, vajtën vodhën votat, për të blerë pushtetin?! Berisha është qesharak, është vjedhësi që vuan më shumë në të gjithë globin. Mban mallin e vjedhur në depot e tij. Parlamenti është katandisur si mos më keq”, - tha Ngjela.
Lushnjë, shkarkime në Këshillin Bashkiak
Në ditën e protestës së Partisë Socialiste në Lushnjë, me një mocion mosbesimi, përfaqësues të Partisë Demokratike dhe të LSI-së në Këshillin Bashkiak të Lushnjës kanë shkarkuar dje kryetaren e këtij Këshilli, Vasilika Hoxha dhe nënkryetarin Vladimir Hajdari, të dy përfaqësues të PS-së në këtë këshill. Motivi i paraqitur në mocionin e mosbesimit është kthimi i Këshillit në interesa të ngushta familjare, gjë që është kundërshtuar nga dy të shkarkuarit. Vendimi u mor me 32 vota pro dhe 12 kundër, ndërsa mbledhja u shoqërua me debate të ashpra. Ndërkohë në postet përkatëse janë vendosur: kryetar Gazmend Korreshi, përfaqësues i PD-së, dhe nënkryetare Bahrie Çela, nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
1 Dhjetor 2009