Pushteti vendor, Basha: Duhet reformë në sistemin fiskal

Basha dje gjatë konferencës
Sistemi fiskal në pushtetin vendor duhet të ndryshojë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në cilësinë edhe të kryetarit të Shoqatës së Bashkive, theksoi dje se ka ardhur koha e një reforme fiskale, e cila do të mundësonte reduktimin e informalitetit, një mbledhje më të mirë të të ardhurave dhe shpërndarje të drejtë të tyre. Në konferencën e organizuar nga universiteti katolik Zoja e Këshillit të Mirë, me temë: Mbështetje për zhvillimin vendor, Basha theksoi se në shumë njësi të qeverisjes vendore lejohet informaliteti, duke u klasifikuar si biznese të vogla edhe ato me xhiro më të madhe se sa ajo e përcaktuar për bizneset e vogla, në mënyrë që të ardhurat të shkojnë në arkën e bashkisë apo komunës. Domosdoshmë-rinë e reformës fiskale Basha e bazoi edhe në faktin se ndonëse Tirana mbledh të ardhura më shumë se të gjitha njësitë e tjera vendore të Shqipërisë, të marra së bashku, prapë si përqindje për frymë është disa herë më e varfër se Kashari, Farka apo të tjera njësi vendore rreth e qark Tiranës dhe një gjë e tillë ndodh edhe në bashki të tjera të mëdha. Përvojat e Bashkimit Europian tregojnë se jo çdo lloj decentralizimi funksionon mirë për pushtetin vendor, ndaj unë dua të bëj sot avokatinë publikisht dhe tju kërkoj ti futemi një reforme thelbësore për të rishikuar mënyrën se si mblidhen dhe shpërndahen të ardhurat për pushtetin vendor, tha Basha. Kjo, sipas tij, me qëllim që të luftohet informaliteti, pavarësisht nëse ndodhet në prag të hendekut 8 milionë, apo përtej hendekut 12 milionë. Dhe të bëjmë një shpërndarje të drejtë e të barasvlershme (jo të barabartë) të të ardhurave për qytetarët tanë, pavarësisht se ku jetojnë, të jemi në gjendje që ti investojmë këto të ardhura në raport me numrin e banorëve që përdorin facilitetet për të cilat ne investojmë, theksoi kryebashkiaku. Basha, në fjalën e tij u ndal edhe te nevoja për të rishikuar ndarjen administrative të vendit tonë, me qëllim një administrim më eficent të territorit dhe një shërbim më të mirë për qytetarët.