Gjendet kufoma e mbytur në pus, sot nisin hetimet
LEZHË – Teksa po kalonin në një rrugë të ngushtë, dy të rinj nga fshati Mal Shëngjin kanë ndier një erë të rëndë dhe më pas kanë parë në një shtëpi të braktisur, pranë një pusi, trupin e pajetë të një personi. Kaq ka mjaftuar që të martën në mbrëmje të njoftohet policia e Lezhës, e cila ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Burimet zyrtare të komisariatit bëjnë të ditur se pasi është identifikuar kufoma në një pus disa metra të thellë, është rrethuar zona dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm pritet të nisë operacioni për nxjerrjen e tij. Sipas këtyre burimeve, dy të rinjtë që identifikuan vendndodhjen e kufomës po kullosnin bagëtitë në afërsi të banesës së braktisur prej 15 vitesh në fshatin Mal Shëngjin. Era e keqe që kanë ndier i ka dërguar tek pusi, i cili rezulton të jetë 5 metra i thellë dhe i mbushur me ujë gati deri në sipërfaqen e tokës. Nga të dhënat paraprake flitet për një viktimë të seksit mashkull, i paidentifikuar, pasi në sipërfaqe të ujit ka vetëm një pjesë të kokës dhe të trupit, ndërsa këmbët dhe krahët nuk duken. Burime të policisë thanë se ndërhyrja që do të kryhet në mëngjesin e sotëm do të zbardhë shumë detaje. Sipas tyre, pritet të vijnë ekspertë për kryerjen e ekspertizës së imtësishme, si dhe priten të mbërrijnë edhe specialistë të Ministrisë së Brendshme, të cilët gjithashtu do të bëjnë këqyrjen e kufomës.
Rripi i sigurimit merr “në qafë” 60 shoferë
VLORË – Rripi i sigurimit është bërë shkas për të ndëshkuar me dhjetëra drejtues mjetesh në qarkun e Vlorës. Policia rrugore e Vlorës, e mbështetur edhe nga Task Forca e Ministrisë së Brendshme, nisi mëngjesin e djeshëm një aksion, gjatë të cilit gjobiti drejtuesit e 60 automjeteve që janë diktuar duke shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Burime zyrtare të policisë thane: “Më së shumti, drejtuesit e mjeteve janë ndëshkuar për mosvendosje të rripit të sigurimit gjatë lëvizjes”. Sipas burimeve, aksioni është shtrirë në disa segmente rrugore në qytet dhe jashtë tij, ku janë vendosur patrulla të lëvizshme. Bëhet e ditur se në 15 ditët e fundit janë aplikuar të paktën 700 masa administrative me gjoba dhe janë pezulluar leje për drejtimin e automjeteve.
Prangosen dy të kërkuar nga Drejtësia
POGRADEC – Dy persona të shumëkërkuar për falsifikim monedhash dhe vrasje të mbetur në tentativë kanë rënë më në fund në prangat e policisë. Burimet zyrtare në Komisariatin e Pogradecit thanë: "Dje në mëngjes janë arrestuar shtetasit Erion Çobani, 35 vjeç, si dhe Aleks Hamzallari ,25 vjeç”. Sipas të njëjtit burim, 35-vjeçari Çobani, lindur në Korçë dhe banues në Pogradec, ishte dënuar nga Gjykata e Tiranës me 6 muaj burg për veprën penale ‘falsifikim të monedhave”. Ndërsa Hamzallari, me banim në Pogradec, akuzohet për veprat penale “vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, “mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe “plagosje e lehtë nga pakujdesia” . Ndaj tij, Gjykata e Rrethit të Pogradecit kishte dhënë masën e sigurisë “burg pa afat”.
20 Shkurt 2008