E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndalohet trafikanti nga Peja, kërkohej për vjedhje makinash

SHKODËR - Një 34-vjeçar nga Peja e Kosovës u ndalua mbrëmjen e së martës në pikën kufitare të Muriqanit, në Rrethin e Shkodrës, pasi ishte në kërkim për trafik mjetesh motorike nga policia e Tiranës. Burime zyrtare të policisë së Shkodrës thanë dje se “A. Kurtaj, lindur në Pejë dhe me lejeqëndrimi në Austri, u ndalua teksa po tentonte të hynte nga Mali i Zi në Shqipëri, përmes pikës kufitare të Muriqanit”. Të njëjtat burime thanë se gjatë kontrollit rezultoi se 34-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Tiranës. Kohët e fundit janë shtuar ndjeshëm rastet e trafikimit të makinave përmes pikave që lidhin vendin tonë me shtetet e rajonit.

Vetëvaret adoleshentja në kasollen e bagëtive

MALËSI E MADHE - Një 15-vjeçare u gjet e vetëvarur mbrëmjen e së martës, ndërkohë që një grup hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të këtij rasti. Burime zyrtare të policisë lokale thanë se “adoleshentja H. V., nga fshati Grudë Fushë e komunës Gruemirë të Rrethit të Malësisë së Madhe, u gjet nga të afërmit e saj e vetëvarur në kasollen e bagëtive”. Mësohet se policia që shkoi në vendngjarje ka marrë në pyetje të afërmit e 15-vjeçares, të cilët kanë deklaruar se “vajza nuk kishte shfaqur më parë ndonjë shenjë depresioni”. Menjëherë pas ngjarjes, organet përkatëse kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve që e çuan në aktin fatal adoleshenten.

20 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›