Vret vëllain për një pëllëmbë tokë
SHKODËR - Konfliktet e vazhdueshme mes dy vëllezërve për pronësinë e një toke, ku po ndërtohej shtëpia, kanë përfunduar tragjikisht me vdekjen e njërit prej tyre. Sandër Ndoci, banues në fshatin Shelqet të Laçit të Vaut Dejës në Rrethin e Shkodrës, ka mbetur i vrarë nga arma e vëllait të tij, Nard Ndoci. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi rreth orës 10.30 të ditës së djeshme, ndërsa autori i ngjarjes, 35-vjeçari Nard Ndoci, është prangosur nga forcat e policisë së Shkodrës dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë disa minuta pas krimit.
Vrasja
Dy vëllezërit, Sandër dhe Nard Ndoci, me banim në fshatin Shelqet të Shkodrës, ishin përfshirë prej kohësh në konflikt për një truall ku po ndërtonte shtëpinë viktima. Tensionet e konfliktit kanë kulmuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Nardi ka marrë automatikun dhe ka qëlluar ndaj vëllait të tij duke e lënë të vdekur në vend. Pas ngjarjes së rëndë, autori është larguar nga vendi i krimit dhe është mbyllur në shtëpi. Prej shumë vitesh, dy vëllezërit me bashkëshortet dhe fëmijët e tyre ndanin të njëjtën çati. Nisma e Sandrit për t’u ndarë, duke marrë një copë tokë pak metra më tej banesës aktuale, është bërë shkas për krimin në familje.
Arrestimi
Forca të shumta policore, të ndihmuara edhe nga ato të Ndërhyrjes së Shpejtë, kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, në fshatin Shelqet. Nard Ndoci nuk ka tentuar të ikë, por sapo kanë hyrë në banesë forcat policore ai është dorëzuar së bashku me armën e krimit. Në Shelqet, familjarë të viktimës dhe të autorit nuk kanë dashur të flasin për tragjedinë. Fqinjët e vëllezërve e kanë përshkruar autorin si një njeri që vuan nga depresioni, ndërsa 40-vjeçari Sandër Ndoci la pas 3 fëmijë jetimë. “Materialet në ngarkim të shtetasit Nard Ndoci i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme”, - bëjnë të ditur burimet zyrtare të policisë së Qarkut të Shkodrës.
20 Shkurt 2008