E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehu: “Ja marrëdhëniet tona me Bashkimin Sovjetik”

Fjala e Mehmet Shehut, e mbajtur para Hrushovit në vitin 1957. Raportet mes Moskës dhe Tiranës dhe bashkëpunimi mes tyre
I dashur shoku Bulganian,
I dashur shoku Hrushov,
Të dashur shokë dhe miq,
Më lejoni që t’ju shpreh falënderimet më të përzemërta për këtë pritje kaq të ngrohtë e vëllazërore që po i bëhet këtu në Moskën e lavdishme delegacionit të qeverisë dhe të Partisë sonë, dhe t’ju sjell juve dhe nëpërmjet jush popullit të madh sovjetik, përshëndetjet më të zjarrta dhe më të sinqerta nga ana e Partisë, qeverisë dhe popullit tonë. Partia, qeveria dhe populli ynë e pritën me kënaqësi dhe entuziazëm të madh ftesën e qeverisë sovjetike dhe të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik drejtuar qeverisë sonë dhe Komitetit Qendror të Partisë sonë për të dërguar një delegacion në Bashkimin Sovjetik. Ne jemi thellësisht të lindur se kjo vizitë miqësore e delegacionit tonë në Bashkimin Sovjetik do të vlejë për të forcuar akoma më shumë miqësinë dhe unitetin e pathyeshëm të popullit shqiptar me popullin sovjetik, dhe do t’i shërbejë çështjes së forcimit të mëtejshëm të unitetit dhe kompaktësisë të kampit socialist që udhëhiqet nga Bashkimi Sovjetik. Mijëra kilometra e ndajnë Shqipërinë nga Bashkimi Sovjetik. Por miqësia e sinqertë midis popujve nuk njeh distancë, zemrat e popujve tanë janë të bashkuara, sepse rrahin për të njëjtin qëllim: për socializmin dhe komunizmin, për paqen. Miqësia shqiptaro-sovjetike doli nga Revolucioni i madh socialist i Tetorit, ajo u mbrujt me gjakun e bijve të mirë të popujve tanë në luftën e përbashkët kundër fashizmit. Populli shqiptar do të kujtojë sa të jetë jeta me mirënjohje dhe dashuri të thellë sakrificat e pashembullta të ushtrisë heroike sovjetike, e cila duke dërrmuar ushtritë hitleriane e çliroi dhe vendin tonë nga okupatori i huaj, krijoi mundësitë që populli ynë të kryente revolucionin popullor, të vendoste pushtetin e demokracisë popullore. Populli ynë është shumë i ndërgjegjshëm se miqësia me Bashkimin Sovjetik është guri i themelit i të gjitha fitoreve që ka korrur gjer sot. Në Bashkimin Sovjetik populli ynë, Partia dhe qeveria e tij, shohin këshilltarin e pathyeshëm të socializmit dhe të komunizmit, çlirimtarin dhe mbrojtësin besnik të interesave të popullit shqiptar, që e ndihmon atë bujarisht e në mënyrë të gjithanshme për të ndërtuar jetën e re, socializmin. Delegacioni ynë po vjen në Bashkimin Sovjetik për një vizitë miqësore në një kohë kur marrëdhëniet tona vëllazërore janë më të forta se kurrë, kur uniteti i kampit socialist po rritet dhe çelikoset vazhdimisht, duke zmbrapsur me sukses të gjitha orvatjet e armiqve ngado që vijnë, kur politika leniniste e paqes dhe e miqësisë midis popujve po shënon suksese të reja. Fitoret madhështore të Bashkimit Sovjetik në ndërtimin e socializmit dhe të komunizmit janë mburrje e të gjithë popujve që ndërtojnë socializmin, janë shembulli më i shkëlqyer i triumfit të ideve të marksizëm-leninizmit, janë inkurajimi më i madh për të gjithë njerëzimin paqedashës dhe përparimtar. Por qarqet agresive imperialiste, armiqtë e paqes e të lirisë së popujve, armiqtë e socializmit nën maska të ndryshme, revizionistët dhe oportunistët e çdo ngjyre, me gjithë disfatat që kanë pësuar deri sot në luftën e tyre kundër kampit të socializmit nuk i kanë hedhur armët. Nuk ka dyshim se popujt do të rritin vigjilencën dhe do të bëjnë që të dështojë çdo intrigë ose plan i imperializmit dhe i shërbëtorëve të tij. Marrëdhëniet miqësore dhe vëllazërore midis Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik janë shembull i shkëlqyer i zbatimit të politikës leniniste, të respektit reciprok, të barazisë, ndihmës vëllazërore dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme, politikë, mbi të cilën janë ndërtuar marrëdhëniet midis të gjitha vendeve të kampit të socializmit. Rroftë dhe u forcoftë gjithmonë e më shumë miqësia e përjetshme midis popullit shqiptar dhe popullit sovjetik! Rroftë Bashkimi i madh Sovjetik, qeveria sovjetike dhe Partia e lavdishme Komuniste e Bashkimit Sovjetik me në krye Komitetin e saj Qendror leninist! Rroftë uniteti i pathyeshëm i kampit socialist me Bashkimin Sovjetik në krye! Rroftë paqja në të gjithë botën!

Gazeta sjell për lexuesit një biografi të shkurtër të ish-kryeministrit Mehmet Shehu. Kjo i bashkëngjitet edhe profilit që ka përgatitur “The New York Times”-i, në mënyrë që të plotësohen të dhënat për një nga figurat më komplekse të regjimit të kaluar

Kush ishte Mehmet Shehu

• Mehmet Shehu lindi më 10 janar të vitit 1913 në fshatin Çorush të Mallakastrës dhe vdiq më 13 dhjetor të vitit 1981 në Tiranë.
• Ishte politikan shqiptar, kryeministër i Shqipërisë.
• Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Më pas vazhdoi Shkollën Teknike, të cilën e mbaroi më 1932-shin. Shkoi në Napoli (Itali) për të studiuar në Kolegjin Ushtarak. Përjashtohet për ide revolucionare nga kolegji.
• Largohet nga Italia dhe kthehet në Shqipëri, ku burgoset 2-3 muaj në Tiranë.
• Me daljen nga burgu punon në fermën e Shkollës Teknike si traktorist.
• Ndjek Shkollën e Plotësimit të Oficerëve. Titullohet në vitin 1937.
• Në dhjetor 1937 shkon në Spanjë, ku merr pjesë në brigadat vullnetare antifashiste. Më 1939-n, pas çmobilizimit të vullnetarëve të huaj, kthehet në Francë dhe qëndron në një kamp përqendrimi.
• Kthehet në Shqipëri në gusht 1942. Lidhet me PKSH-në dhe caktohet sekretar Organizativ i Qarkut të Vlorës.
• Gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare ka kryer një numër detyrash të rëndësishme: shkurt 1943 komandant i Çetës Plakë të Mallakastrës; mars 1943 kandidat i KQ; gusht 1943 komandant i Brigadës i Sulmuese; maj 1944 komandant i Divizionit i Sulmues me gradën e kolonelit; gusht 1944 komandant i Divizionit I Sulmues; tetor 1944 i jepet grada gjeneral-major.
• Mbas çlirimit të Shqipërisë dërgohet për studime në Bashkimin Sovjetik.
• Në periudhën 1945-1946 studion në Akademinë Ushtarake “Voroshillov” në Moskë.
• Mbas përfundimit të studimeve kthehet në Shqipëri, ku në vitin 1947 emërohet shef i Shtabit të Përgjithshëm.
• Në periudhën 1948-1954 kryen njëkohësisht detyrën e zëvendëskryeministrit dhe atë të ministrit të Punëve të Brendshme.
• Nga viti 1954 deri në vitin 1981 është kryeministër (kryetari i qeverisë).
• Që nga viti 1948 deri 1981-shin ishte anëtar i Byrosë Politike.
• Fliste 5 gjuhë të huaja: anglisht, frëngjisht, italisht, spanjisht dhe rusisht.
• Kreu vetëvrasje në Tiranë, më 13 dhjetor 1981
Aktiviteti politik
• Ministër i Brendshëm me mandat që nga 1 tetori i vitit 1948 e gjer më 23 korrik të vitit 1954, si pjesë e kabinetit të Enver Hoxhës.
• Zëvendëskryetar i Shqipërisë me mandat që nga 24 korriku i vitit 1953 e gjer më 23 korrik të vitit 1954, si pjesë e kabinetit të Enver Hoxhës.
• Kryetar i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë me mandat 27-vjeçar që nga 20 korriku i vitit 1954 e gjer më 18 dhjetor të vitit 1981, deri 5 ditë para vdekjes.
• Ministër i Mbrojtjes me mandat që nga 30 tetori i vitit 1974 e gjer më 26 prill 1980.
• Kryetar i Këshillit të Ministrave 20 korrik 1954 - 18 dhjetor 1981.
• Ministër i Punëve Brendshme, tetor 1948 - 23 korrik 1954.
• Ministër i Mbrojtjes 30 tetor 1974 - 26 prill 1980.

Shkrimi është marrë nga gazeta “Bashkimi” më datë 11 prill 1957
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi

20 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›