Lotët e Kreshnik Spahiut dhe spekulimi i politikanëve të vegjël me bashkimin kombëtar
Para disa ditësh kishim rastin të shohim liderin e Aleancës KuqeZi, që apelon për bashkim kombëtarë. Paraqitja e tij e parë publike në Maqedoni dhe Kosovë, tregon se Kreshnik Spahiu ka të kaluar shkollë politike. Ai, bisedat, si në trajnim, i fillon me një përjetim që të tërheq vëmendjen, të emocionon, që e bën për vete publikun, që më vonë, në një ambient miqësorë të shpreh idenë e tij përfundimtare. Ideja e bashkimit nuk është gjë e re, përkundrazi, është pothuajse konsensus i elitave politike që shqiptarët të bashkohen, por në Evropë. Spahiu, në këtë teren të përgatitur më parë, shton me mjeshtri parashtesën “para”, që nënkupton bashkim i shqiptarëve, por para anëtarësimit në Bashkimit Evropian. Kjo nuk është as pa qëllim, as pa domethënie. Ky është dallim cilësorë sa i përket bashkimit të shqiptarëve. Ky dallim në qëndrim, kërkon edhe një dallim në kualitetin e politikanit. Një politikan që në paraqitjen e tij lëshon lot kur tregon përjetimet e tija, më zgjon kureshtje ta di, a është kjo taktikë oratorike e ushtruar në shkollat politike, apo ndjenjë e thellë emocionale. As njëra e as tjetra nuk flet për karakter stabil të politikanit. Nëse është teknikë oratorike, aty nuk ka sinqeritet, nëse është emocion, nuk i ngjan një politikani me ide të madhe. Sigurisht, përjetimet fëmijërore nuk harrohen dhe lënë mbresa të mëdha në shpirtin e një të riu, që do ta përcjellin tërë jetën, por kjo sa është tronditëse dhe emocionale, nuk është gjest i mirë politik. Fat apo fatkeqësi, politika nuk duron shumë emocione, por më tepër urtësi, guxim dhe fuqi. Njerëzit në liderin e tyre duan të shohin një njeri stabil, që garanton siguri, qëndrueshmëri dhe burrëri, dhe jo shpërthim ndjenjash. E përbashkëta e këtij lider të ri me politikanët e vjetër, është se unifikimin e kombit e parasheh si proces paqësorë dhe jo të dhunshëm. Mu kjo ide se vëllezërit do të bashkohen në një proces evolutiv paqësorë, nuk ka shumë garanci empirike. Vëllezërit prej natyrës ndahen, nuk bashkohen. Vëllezërit, afrohen krye për krye në rast rreziku dhe pasigurie. Kjo nuk është rast vetëm te shqiptarët, por te të gjithë popujt e botës. Të përkujtojmë se si u krijuan kombet më të mëdha të Evropës. Lufta ndërmjet Anglisë dhe Francës që fillon në vitin 1337 dhe mbaron në vitin 1453, që njihet si lufta 100 vjeçare, mësohet në historinë e civilizimet jo për të shpjeguar betejat dhe fitoret e gjeneralëve, por si shembull se kur filloi të lind identiteti kombëtarë dhe unifikimi i këtyre kombeve. Të gjendur para rreziqeve, sfidave, në gjendje lufte, u imponua nevoja e homogjenizimit dhe krijimit të një identiteti përtej fetarë e farefisnorë, por kombëtarë. Andej anglezët dhe francezët janë ndër popujt e parë në Evropë që centralizuan pushtetin e ndarë mbi rende dhe fise, në kombin francez dhe anglez. Për këtë do të qajë Makiaveli. Fatkeqësisht, Makiaveli dhe “makiavelizmi”, që janë dy pohime të kundërta, shpesh ngatërrohen në një. Makiaveli nuk ishte njeri që nuk promovonte vlera morale. Përkundrazi, sipas tij, vlera më e madhe për të cilën vlen të sakrifikohet është unifikimi i kombit. Ai vetëm deshi të sugjerojë se në një luftë për unifikimin e kombit dhe formimin e shtetit nacional, disa vlera duhet të zëvendësohen me tjera. Për këtë vlerë kulmore, arsyetohet përdorimi i gjitha mjetet që i ke në disponim. Pra, ai ishte i vetëdijshëm se procesi i bashkimit të vëllezërve, nuk është një proces natyror, por proces që është kundër këtyre forcave, andej edhe kërkon shkathtësi dhe aftësi të posaçme. Princi i imagjinuar i Makiavelit shumë më tepër duhet të disponojë shkathtësi sesa emocione dhe butësi. Ai manipulon me dy terme, Fortunë dhe Virtyt. Kuptimin e vërtet të këtyre dy gjykimeve nuk mund të definohet me saktësi. Ai këto dy terme do t’i përshkruajë në si vijon: Mundohuni të imagjinoni sikur në një situatë kalon një shtrëngatë e pa parë, që shkul pemë e zhvendos brigje lumenjsh, kur çdo qenie e arsyeshme kërkon strofull që të mbrojë veten dhe pasurinë, çfarë udhëheqësi ju duhet? Kjo situatë sipas tij, shpëtohet nga njeriu që posedon “virtyt dhe urtësi”, që para se të vijë Fortuna, t’i ketë ndërmarrë gjithë përgatitjet. Si duhet të silleni në këto situata?. Makiaveli do të sqarojë: “Është më mirë të jesh i vrullshëm se sa i kujdesshëm, sepse Fortuna është një grua që për ta mbajtur nën, është e domosdoshme ta dhunosh që të mund ta pushosh”. Fortuna kërkon një përgjigje të dhunshme prej atyre që duan ta kontrollojnë. “Ajo më lehtë mund të mposhtet nga njerëz të tilla sesa nga ata që janë të kujdesshëm dhe të ftohtë”. Prandaj Fortuna, “Si një grua është mik e djemve të rinj, sepse ata janë më pak të kujdesshëm, më të gjallë, ata janë mjeshtër të guximit të saj”. Me këto vlera dhe shkathtësi, Makiaveli e parafytyron princin që do ta bashkojë Italinë dhe do ta formojë kombin italian. Gjermania unifikimin e saj kombëtarë do të bëj shumë pas anglezëve dhe francezëve. Kjo do të ndodhë pas Revolucioneve të mëdha në Evropë, 1830-1848. Udhëheqësi i madh gjerman, Bizmarku, tendencave liberale do t’u jep një drejtim tjetër, kah nacionalizmi që do ta bashkojë kombin gjerman. Si dukej ky proces dhe çfarë shkathtësi dhe vlera duhen të posedoj udhëheqësi? Studiuesit e kësaj kohe do të japin vlerësime shumë interesante. Vet promotori i unifikimit të Gjermanisë, Bizmarku, një ushtarak, burrë-shteti dhe diplomat do të deklaroj: “bashkimi i Gjermanisë u bë me gjak dhe me çelik”. Mendoj se është e qartë se çfarë vlera duhet të posedoj një udhëheqës i unifikimit të kombit. Një analizë e sundimit të Bismarkut atë do ta cilësojë si formë e sundimit të: “luanit, dhelprës dhe minjve”. Pra, Bismarku që bashkoi gjermanët e ndarë në 33 shtete në një, do të njihet si një njeri me zemër dhe fuqi luani, me shkathtësi dhe dredhi diplomatike të dhelprës, që do të dijë popullin e egër gjerman ta përkulë para tij si mi.
A treguan lotët e Spahiut se ky lider i unifikimit të kombit disponon vlera të tilla, nuk e di!. Se ka vullnet dhe dëshirë, edhe mund të thuhet, por për vlerat tjera duhet të pritet të vihet në sprovë. Ideja e bashkimit kombëtarë është ide shumë fisnike. Kjo është shumë e këndshme për debate filozofike dhe intelektuale, por shumë e rëndë për realizim politik. Gabimet dhe tragjeditë e mëdha gjatë historisë kanë ndodhë jo kur filozofët dhe intelektualët kanë debatuar për çështje të mëdha, por kur politikanët e vegjël janë munduar të realizojnë projekte të mëdha. Andej, lotët dhe vajtimi janë karakteristikë njerëzore, por jo karakteristikë e burrërisë shqiptare. Gjitha ata burra të mëdhenj që kanë bashkuar kombet kanë qenë njerëz, që do të thotë se edhe kanë qarë dhe vajtuar, por si të tillë historia nuk i ka paraqitur. A është gabim i historisë apo ata kanë qenë njerëz të tjerë, nuk mund të themi. Së pari na duhet ta kryejmë historinë që pastaj të mund ta shkruajmë. Atëherë, këta njerëz do t’i përshkruajmë si të duam. Le ta mbarojë historia, se do ta shkruajmë si duam vetë.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit "Koha"