Lotët e krokodilit
Klima politike dhe ajo qytetare në veçanti, është trazuar dukshëm pas ngjarjeve më të fundit në Gërdec dhe në Vorë; megjithëse disa politikanë budallenj po përpiqen të pompojnë në popull nga pak optimizëm. Ka gjasa që, edhe më tej, jeta e shqiptarëve të rrjedhë kërcënueshëm midis përleshjeve politike pothuaj të pashmangshme dhe kërkimit (zhgënjyes) për ditë më të mira. Tani, sigurisht do të ketë një fushatë sensibilizimi për të ndihmuar banorët e zonave të goditura nga shpërthimet e 15 marsit. Drejtësia do të prangosë disa abuzues të rëndomtë. Mandej do të kërkohet me çdo kusht harresa. Shumë shpejt, do të rivijë në skenë diskutimi (i lënë përgjysmë) për Reformën Zgjedhore. Do të ketë ndeshje të tjera, gënjeshtra të tjera gjithashtu. Kjo është pak a shumë kronika... Mirëpo përtej asaj, përtej edhe përjetimeve emocionale e farsave, në të cilat derdhen lot krokodili, ka diçka edhe më të rëndësishme; rrethit të vëmendjes së politikës, mediave dhe publikut të gjerë, sërish po i ikën një prej ngasjeve më të rrezikshme të kohës: informaliteti. Ai vazhdon të kërcënojë ekonominë shqiptare dhe gjithë jetën e vendit, madje tani po merr edhe jetë. Dhe shteti asnjëherë nuk arrin dot të kontrollojë territoret e tij, subjektet që (duhet të) veprojnë nën juridiksionin e tij, hijet dhe të pjellat e paligjshme të bizneseve makute, trafiqet, më në fund edhe individët që shijnë falë paaftësisë për të qeverisur. Kjo ndodh për shkak se ky shtet nuk do të formalizohet; ata që duhet ta bëjnë këtë, e mbrojnë vetë informalitetin. Në mjegull, justifikohet çdo kob.
Ndërmarrja, fabrika, kioska (u quajt nga disa) ku u shkaktua tragjedia më e fundit në këtë vend, ajo e Gërdecit, ishte një subjekt i panjohur, i paregjistruar. Nuk paguante sigurime shoqërore. Punonjësit (midis të cilëve, gra e fëmijë), ishin sezonalë, ditorë, thirreshin me gisht, me ca pak lekë në dorë. Një tjetër subjekt i panjohur dhe i pakontrolluar (nga organet shtetërore e financiare) u vu në qendër të debateve dy javë më parë, për shkak të një tragjedie tjetër, tashmë të harruar, asaj të Farkës. Vetëm gjatë muajit shkurt, u gjetën rreth tetëqind subjekte që "prodhonin" invazion fiskal, duke u fshehur në kufijtë e brishtë të metropolit, në komunat përqark Tiranës. Edhe pse e zhvillonin veprimtarinë e tyre në qytetin më të madh të vendit, taksat i paguanin si biznese komunash(!) Në Tiranë, në rrethe specialistësh dhe intelektualësh, flitet hapur se kompani të mëdha hera-herës "dalin me humbje" dhe paguajnë tatime e taksa qesharake. Ndërkohë, ka ende shembuj të një trajtimi të diferencuar ndaj sipërmarrjeve private, në pagesat ndaj shtetit. Ka subjektet që goditen pa të drejtë përmes kontrolleve preferenciale. Sjellja e shtetit mbetet një gjë kaq e dyshimtë, kaq e rastësishme(!) Dhe kjo është vetëm njëra anë e çështjes. Mungesa e kontrollit mbi territoret dhe subjektet, përkon me përfshirjen e një pjese të madhe të politikës në biznese të ligjshme dhe të paligjshme, deri në afera. "Kapja" e shtetit, për të cilën qeverisësit e sotëm kanë folur shumë kur ishin në opozitë, vazhdon të jetë fenomeni më i zi i tranzicionit shqiptar. Shumë nga militantët e koalicionit të djathtë, që kanë sponsorizuar apo i kanë kontribuar fushatës për zgjedhjet e 3 korrikut, janë shpërblyer në mënyra të ndryshme: kush me një copë truall, ku bën biznes të paligjshëm, (dhe që nuk kontrollohet e nuk formalizohet), kush me një post të pamerituar (dhe jashtë kritereve profesionale). Ka edhe nga ata që thjesht bëjnë sekserin midis pushtetit dhe bizneseve të ndryshme. Shumë subjekte që veprojnë në të zezë, jashtë rregullave më elementare, nuk kontrollohen, nuk ndalohen. Fabrika (në Gërdec) e gjëmës së këtyre ditëve, ishte vetëm njëri prej këtyre subjekteve, që vetëm rasti tragjik e zbuloi.
Ligjet janë të vështira për t'u kuptuar dhe janë të hapura për interpretime të ndryshme, thuhet midis të tjerave në "Praktikat më të mira në luftën kundër korrupsionit", botim i OSCE. Pikërisht "gropëzimi" i ligjeve, mosrespektimi i ligjeve, madje shpërfillja e tyre, është situata në të cilën ne jemi vazhdimisht të rrezikuar, nga tragjedi që s'i dimë, jo më pak të dëmshme se kjo e fundit. Me keqardhje, mund të thuhet se çfarë na blaton e ardhmja, është gjithnjë në pikëpyetje. Edhe pse mundimet demagogjike janë të skajshme. Publiku i gjerë ende nuk i ka harruar përbetimet e liderëve të koalicionit të sotëm qeverisës për të luftuar korrupsionin; dhe as metaforat e shfrenuara me hajdutë, kriminelë, vrasës. Drurin e shtrembër e ndreq zjarri, thotë një fjalë e urtë popullore. Mirëpo nuk ishin pak dy vjet e gjysmë për të dëshmuar qoftë edhe një fije nga zelli i sofistikuar i para 3 korrikut. Sot, duke përcjellë edhe ngjarjen e paprecedent të Gërdecit, ku humbën shumë jetë njerëzish dhe u shkatërruan vlera të mëdha materiale, ajo që të trishton më shumë, është të shikosh se si informaliteti nuk ka ndërmend të zbythet. Në Gërdec, në Farkë, në disa miniera të vendit, sidomos në Bulqizë, informaliteti u shndërrua në krim. Dhe e keqja s'mbaron as këtu. Përgjegjësitë pështyhen dhe siç thotë diku poetesha e madhe ruse Ahmatova, "...nuk dallohet kush është njeri, e cili bishë". Kjo ndodh (e mund të ndodhë sërish) për shkak se rregullat i prishin vetë politikanët dhe shtetarët e ngatërruar me gjithfarëlloj interesash e biznesesh anonime. Thelbi i reformave dhe i demokracisë në tërësi, është marrja përsipër dhe përmbushja e përgjegjësive, apo në një vështrim të fundit, shpjegimi i tyre. Kjo gjë e thjeshtë, shumë prej politikanëve dhe shtetarëve të këtij vendi iu hyn nga njëri vesh dhe iu del nga tjetri. Kështu, thelbi i rrugëtimit të shqiptarëve, prej shtatëmbëdhjetë vjetësh, për fat të keq, mbetet pasiguria. Ndërkohë, një pjesë nga të zgjedhurit e tyre (sa legjitimë janë ata?), vazhdojnë të pasurohen dhe të bëjnë jetën e Sardanapalit, (mbreti i njohur i Asirisë antike, i dhënë pas qejfeve e luksit). Sardanapalët e Shqipërisë, për shtatëmbëdhjetë vjet rresht kanë gënjyer, kanë vjedhur, kanë shkatërruar imazhin e vendit, kanë plotësuar qejfet e tyre dhe interesat e klaneve më të ngushta. Tani edhe duke mos u tutur përpara krimeve? Kjo ishte e tepërt...